Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
20 nentor 2025
“The Guardian” i ka kushtuar vëmendje reagimit të fortë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndaj planit të ri të qeverisë britanike për dëbimin e 700 familjeve shqiptare, një politikë që ka ndezur polemika të mëdha në Londër dhe brenda Partisë Laburiste.
Shkëndija e debatit është politika e re e deportimit të familjeve që kanë dështuar në kërkesat për azil. Sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, pranoi se nuk ndihet plotësisht “rehat” me këtë qasje, por theksoi se masa është “e nevojshme për vendin”. Ai argumentoi se modeli i Danimarkës ka qenë pikë reference dhe se qeveria pret që largimet me forcë të mbeten të ulëta, pasi stimulimet financiare pritet t’i nxisin migrantët të kthehen vullnetarisht.
Në një intervistë për LBC, Streeting mbrojti ministren e Brendshme Shabana Mahmood, duke thënë se ajo po siguron që personat pa të drejtë qëndrimi të largohen “në mënyrë të menaxhuar, jo të dhunshme”, duke shtuar: “Numri i largimeve me forcë duhet të jetë i vogël”.
Por pikërisht ky plan provokoi reagimin e prerë të kryeministrit Rama, i cili e akuzoi Mahmood për “stereotipizim etnik”, shkruan “The Guardian”. Ai kritikoi faktin që ministrja ka veçuar publikisht 700 familje shqiptare, duke e konsideruar këtë një qasje të papranueshme për një qeveri laburiste.
“Si mundet një sekretare e brendshme laburiste të riprodhojë retorikën e ekstremit të djathtë dhe të etiketojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Brexit-it?”, shkroi Rama në platformën X.
Kryeministri shqiptar theksoi se shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë britanike dhe paralajmëroi se shënjestrimi i tyre i ekspozon ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj grupeve ekstremiste që ushqehen nga këto narrativa.
Reagimi i tij ka shkaktuar shqetësim në Whitehall, ku zyrtarët e sigurisë e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor zonë të ndjeshme tranziti për rrugët e azilkërkuesve dhe rrjetet e kontrabandës. Gjatë verës, oficerë britanikë të kufirit janë dislokuar në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë për të monitoruar trafikun.
Ndërkohë, brenda Partisë Laburiste po rritet presioni. Dhjetëra deputetë të saj kanë shprehur shqetësime për dëbimin e familjeve, duke paralajmëruar mundësinë e një rebelimi kundër udhëheqjes së Keir Starmer.
Megjithë kritikat, ministrja Mahmood nuk është tërhequr: “Duhet të largojmë ata që kanë dështuar në kërkesat për azil, pavarësisht se kush janë. Edhe familjet”, u shpreh ajo.
Ndërsa tensionet mes Tiranës dhe Londrës thellohen, politika e re e azilit që prek drejtpërdrejt familjet shqiptare po shndërrohet në një nga betejat më të nxehta politike të qeverisë së re britanike.

















