“The Art Newspaper”: Rama artist për të pastruar imazhin nga korrupsioni

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

09 dhjetor 2025

Revista me seli në Londër dhe New York i ka kushtuar vëmendje ekspozitave të kryeministrit shqiptar si përpjekje për të ndryshuar imazhin e tij nga skandalet.

Në ekspozitat e këtij viti në “Frieze London” dhe “Art Basel Paris” ka tërhequr vëmendje prania e veprave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej vitesh njihet edhe si artist. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe me përvojë pune në Paris, Rama ka vazhduar të krijojë art edhe gjatë karrierës politike, duke ekspozuar në Qendrën Pompidou dhe dy herë në Bienalen e Venecias.

Më 9 tetor, galeria berlineze “Société” njoftoi përfshirjen e Ramës në listën e saj të artistëve. Në “Frieze London” iu kushtua një hapësirë e gjerë me rreth 25 vizatime dhe dy skulptura bronzi të pikturuara, ndërsa një përzgjedhje më e reduktuar u paraqit në “Art Basel Paris”. Sipas bashkëdrejtueses së galerisë, Julia Ballantyne-Way, gjysma e vizatimeve janë shitur dhe vazhdojnë negociatat për skulpturat. Ajo thekson se publiku është treguar i befasuar dhe i intriguar nga aktiviteti artistik i Ramës.

Ballantyne-Way shpjegon se bashkëpunimi me Ramën u konkretizua pas pjesëmarrjes së saj në ekspozitën e tij personale në Paris, duke vlerësuar qasjen e tij të re që përfshin më shumë bronz dhe qeramikë.

Ndërkohë, kritiku dhe artisti shqiptar Oltsen Gripshi vlerëson se Rama është larguar nga realizmi i epokës komuniste, duke zhvilluar një stil abstrakt të frymëzuar nga Kandinsky, të cilin ai e cilëson si një formë të re neo-ekspresionizmi.

Por aktiviteti i kryeministrit në art nuk ka kaluar pa polemika. Artistë kritikë, si Armando Lulaj, pretendojnë se Rama po përdor artin për të përmirësuar imazhin e tij politik dhe se kritikët e qeverisë mbeten të përjashtuar nga mbështetja institucionale. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e galerisë “Société” mohon çdo lidhje midis veprimtarisë artistike të Ramës dhe politikës.

Veprat e Ramës u prezantuan gjithashtu javën e kaluar në “Art Basel Miami Beach” dhe do të ekspozohen sërish në një ekspozitë personale gjatë “Gallery Weekend Berlin” në prill.

Artikulli është përshtatur nga “The Art Newspaper”, revista mujore me seli në Londër dhe New York, e njohur për mbulimin e zhvillimeve në artet pamore dhe ndikimin e tyre politik, ekonomik e kulturor.

Scroll to Top