Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 qershor 2025
Gjykata e Tiranës ka vendosur të dielën masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 persona të arrestuar në kryeqytet, pas një hetimi për shitblerje armësh. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila paraqiti akt-ekspertiza dhe prova të sekuestruara gjatë operacionit të policisë
Të arrestuarit që do të qëndrojnë në qeli janë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi përpara gjykatës.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimeve, duke pretenduar se policia ka përdorur metoda të paligjshme, si blerjet e stimuluara, dhe se mungojnë provat për veprimet konkrete të secilit të dyshuar
Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës ekspertizat e armëve të kapura më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku vetëm një prej armëve ka rezultuar jashtë funksionit.
Operacioni i zhvilluar nga Policia e Tiranës çoi në sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 armë automatike), mbi 2 mije fara kanabisi, municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë. Të arrestuarit armët i merrnin në Kosovë dhe më pas i trafikonin në Tiranë./abcnews

















