Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 qershor 2025
Një debat i ashpër po zhvillohet në Bashkimin Evropian për ligjshmërinë e sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, teksa ambasadorët e vendeve anëtare takohen sot në Bruksel përpara samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.
Dallimet midis vendeve mbi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje janë të theksuara, duke penguar gjetjen e një qëndrimi të përbashkët për krizën e fundit në Lindjen e Mesme. Rreth 15 vende, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë, kërkuan që në dokumentet zyrtare të përfshihej e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten, por nuk u arrit dakordësi unanime.
Sipas ligjit ndërkombëtar, vetëmbrojtja lejohet vetëm në rast të sulmeve të armatosura ose kërcënimeve të afërta dhe duhet të jetë proporcional. Disa shtete anëtare vlerësojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që Izraeli të ketë këtë të drejtë për sulmet ndaj Iranit.
Debati pritet të vazhdojë gjatë samitit të BE-së, ndërsa draft-përfundimet aktuale nuk përmbajnë formulime konkrete lidhur me qëndrimin e BE-së ndaj konfliktit Izrael-Iran.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetje të hapur për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje në Twitter, pavarësisht mungesës së konsensusit në BE, çka ka krijuar tension mes institucioneve dhe diplomatëve evropianë.
Një diplomat i tha Euronews se deklarata e Von der Leyen “ishte zhgënjyese” dhe “nuk reflektonte gjuhën e dakordësuar zyrtarisht nga Këshilli Evropian”.
Zëdhënësi i presidentes theksoi se qëndrimi i saj është në përputhje me deklaratën e udhëheqësve të G7-së për zhvillimet në rajon.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa BE-ja përpiqet të gjejë një pozicion të unifikuar ndaj një prej krizave më të rënda gjeopolitike në Lindjen e Mesme.