Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
29 janar 2026
Autoritetet turke kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për spiunazh në favor të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm për shkak të frikës nga një përshkallëzim ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas mediave turke, forcat e sigurisë kanë zhvilluar operacione të njëkohshme në pesë provinca të vendit, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, pas një hetimi të përbashkët të njësive antiterroriste dhe agjencisë së inteligjencës së Turqisë. Bastisjet çuan në arrestimin e gjashtë personave, mes tyre edhe një shtetas iranian.
Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprime zbulimi dhe mbikëqyrjeje ndaj objekteve ushtarake dhe pikave strategjike, përfshirë bazën ajrore Incirlik në provincën jugore të Adanas, ku janë të stacionuara forcat amerikane.
Sipas raportimeve, grupi dyshohet se ka transmetuar informacion të ndjeshëm të inteligjencës dhe logjistikës te operativët iranianë. Hetuesit kanë gjetur gjithashtu prova se të ndaluarit kanë monitoruar dërgesa dronësh që kalonin përmes territorit turk për përdorim në vende të tjera.
Ambasada e Iranit në Ankara nuk ka reaguar ende lidhur me arrestimet.
Zhvillimet ndodhin në një moment të ndjeshëm për rajonin, teksa autoritetet turke kanë shprehur shqetësime për pasojat e një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake kundër Iranit, duke paralajmëruar se një skenar i tillë mund të shkaktojë paqëndrueshmëri dhe valë të reja refugjatësh.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forca të konsiderueshme ushtarake janë zhvendosur drejt Iranit, duke i bërë thirrje Teheranit të ulet në tryezën e negociatave për një marrëveshje që përjashton armët bërthamore.
Uashingtoni ka konfirmuar se në rajon janë dislokuar anija luftarake USS Abraham Lincoln dhe shkatërrues të armatosur me raketa, të aftë për të ndërmarrë operacione ushtarake nga deti.

















