Tension në Bullgari – nacionalistët sulmojnë makinën duke besuar se Von der Leyen ishte brenda/Video

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

01 shtator 2025

Të dielën në qytetin Sopot të Bullgarisë, një grup protestuesish nacionalistë tentuan të pengonin presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hynte në një fabrikë armësh, duke sulmuar një automjet për të cilin besonin se ndodhej ajo.

Protesta u organizua nga partia nacionaliste “Ringjallja”, e udhëhequr nga Kostadin Kostadinov, i cili njihet për retorikën e tij anti-NATO dhe qëndrimet kundër integrimit evropian të Bullgarisë. Ai u bashkua në protestë me një parti tjetër nacionaliste, “Velichie”, duke kërkuar “mbrojtjen e sovranitetit kombëtar”

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë Kostadinovin dhe protestues të tjerë duke bllokuar një automjet të zi, i cili më pas u godit disa herë me pankarta, ndërsa policia përpiqej të hapte rrugën. Protestuesit mbanin flamuj bullgarë dhe rusë, ndërsa bërtisnin “nazistë” ndaj autoriteteve.

Nuk është konfirmuar nëse Von der Leyen ndodhej në makinën e sulmuar, ndërsa Kostadinov pretendoi më vonë se ajo kishte mbërritur në fabrikë me helikopter.

Incidenti ka nxitur reagime në Bullgari dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje tensionet politike dhe rritjen e retorikës proruse në vend.

Scroll to Top