Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
03 tetor 2025
Interesante është se foto ka dalë nga ish-këshiltari i Trump për politikën e jashtme gjatë fushatës së vitit 2016, George Papadopoulos. Ai merr shkas nga gajasjet e Ramës në samitin e djeshëm, teksa tallej me ngatërresën që Trump kishte bërë mes Shqipërisë dhe Armenisë.
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga batutat e Ramës për presidentin Donald Trump dhe menjëherë nga Shtetet e Bashkuara ka ardhur një “reagim” i hidhur për kryeministrin tonë. Për herë të parë është publikuar foto e Charles McGonigal, ish-shefit të zyrës së kundërzbulimit të FBI në New York, aktualisht i burgosur në zyrën e Edi Ramës në kryeministri. Me gjasë ky është takimi i tyre i parë në datën 9 shtator 2017.
Fakti që McGonigal dhe Rama janë takuar bashkë në kryeministri nuk është një lajm i ri. Ky është konfirmuar në dosjen e FBI dhe është pranuar edhe nga vetë Rama. Takimi u mundësua nga ish-këshilltari i Ramës Dorian Duçka dhe ish agjenti i SHIK, Agron Neza. Në këtë takim është folur për licencat e naftës në jug të vendit dhe pikërisht këtu ka lindur miqësia mes Edi Ramës dhe McGonigal.

Në dosjen e FBI, që çoi në burg Charles McGonigal, thuhet se këtë foto ai ia dërgoi një miku të tij duke i thënë se Edi Rama po reformonte drejtësinë në vendin e tij dhe kjo paraqiste “mundësi të shumta”. Nuk dihet se çfarë nënkuptonte Charles McGonigal me mundësi të shumta.
Pikërisht nga ky moment që tregohet në foto nisi një marrëdhënie e ngushtë interesi mes McGonigal dhe Ramës, pasi i pari ishte i interesuar për zhvendosjen e licencave të nxjerrjes së naftës në jug, ndërsa Rama ishte i interesuar për një hetim të Lulzim Bashës nga FBI, për paratë e paguara për lobim në SHBA.
Në akt-akuzën që dënoi McGonigal me 2 vjet burg në ëashington, paragrafi 22 thuhet se: “Në 9 Shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u takua me Personin B dhe kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesë të personit A, i pandehuri McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të ishte i kujdesshëm në dhënien e licencave për fushat e naftës në Shqipëri për kompani ruse. Personi A dhe Personi B kishin të dy interes financiar në vendimin e qeverisë për dhënien e licencave për nxjerrjen e naftës”
Por si e rrëfen Rama takimin?
Kryeministri i Shqipërisë fillimisht mohon diskutimin për licenca nafte apo kompani konkrete. Në përgjigjen që përsëriti pak a shumë njësoj në katër intervista, Rama tha se biseda kishte qenë e përgjithshme për influencën ruse, madje e quajti një “bashkëbisedim miqësor të përgjithshëm”.
“Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse në tërësi, më foli për rajonin, ku influenca ruse është prezente, ndërsa në Shqipëri është inekzistente” tha Rama në një intervistë në Top Channel.
“Nuk ka folur ai me mua për asnjë lloj biznesi në favor të personave të tjerë” shtoi kryeministri gjatë intervistës.
Interesante është se foto ka dalë nga ish-këshiltari i Trump për politikën e jashtme gjatë fushatës së vitit 2016, George Papadopoulos. Ai merr shkas nga gajasjet e Ramës në samitin e djeshëm, teksa tallej me ngatërresën që Trump kishte bërë mes Shqipërisë dhe Armenisë.
“Charles McGonigal është fotografuar këtu me Kryeministrin shqiptar ndërsa ai po pranonte ryshfete. Ai gjithashtu drejtonte hetimin “Crossfire Hurricane” me Comey në të njëjtën kohë. Ai tani është i burgosur. A do të rrëzohet edhe ai?” shkruan Papadoupolos duke iu referuar Ramës.

















