Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 nentor 2025
Shqipëria luan finalen me Andorrën për një vend në play off-in e Botërorit 2026. Tekniku i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh se Andorra është një kundërshtar i fortë dhe dueli i nesërm do të jetë i vështirë.
Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër finalen vendimtare ndaj Andorrës për një vend në play off-in e Botërorit 2026. Në prag të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, është shprehur se pret një sfidë të vështirë ndaj një kundërshtari që di të mbrohet mirë dhe nuk dorëzohet lehtë.
“Andorra është një ekip që pëson shumë pak gola, edhe në Tiranë e patëm të vështirë. Trajneri i tyre e njeh mirë skuadrën dhe ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë të forta. Rezultatet e fundit tregojnë se ata luftojnë për çdo top dhe çdo centimetër,” u shpreh tekniku brazilian.
I pyetur nëse fakti që ndeshja zhvillohet në fushën e Andorrës mund të bëjë diferencën, Sylvinho tha se diferencat në futboll janë gjithnjë e më të vogla: “Po rritemi shumë si ekip, por edhe të tjerët po përmirësohen. Statistikat tregojnë se jashtë fushe është gjithmonë më ndryshe, por ne do të bëjmë të pamundurën për të arritur Botërorin.”
Sa i përket përgatitjeve për këtë duel, trajneri theksoi se skuadra do të ruajë shpirtin e garës dhe qetësinë që e ka karakterizuar në ndeshjet e fundit. “Ekipi ka krijuar identitetin e tij. Mund të ketë ndryshime të vogla teknike në formacion, por fryma do të mbetet e njëjtë. Dimë si të përballemi me momentet e vështira dhe të gjejmë golin,” përfundoi Sylvinho.

















