Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
10 shtator 2025
Që prej shpërthimit të konfliktit në Gaza, al-Hayya ka qenë njeriu kyç në bisedimet e Hamasit, duke komunikuar me izraelitët dhe amerikanët nëpërmjet ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti.
Në momentet kur armëpushimet dukeshin të arritshme, ai dhe disa bashkëpunëtorë të lartë – të cilët gjithashtu u goditën këtë pasdite – ndodheshin shumë afër delegacioneve izraelite dhe amerikane. Në çastin e sulmit, ata po diskutonin për propozimet më të fundit të SHBA-së për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve izraelite që ende mbahen nga Hamasi.
Reagimi i shpejtë i Izraelit për të konfirmuar sulmin nxiti menjëherë dyshime dhe komente në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje nëse nisma e fundit diplomatike e amerikanëve kishte qenë një manovër për të mbledhur drejtuesit e Hamasit në një vend të vetëm, ku ata mund të sulmoheshin me saktësi.
Më 3 tetor të vitit të kaluar, Khalil al-Hayya mbërriti në vendin ku do të intervistoheshim, një vilë e thjeshtë me kate të ulëta. Ajo që më habiti ishte niveli i ulët i sigurisë që e shoqëronte. Edhe pse na kërkuan të dorëzonim telefonat dhe disa truproja hynë me të në shtëpi, jashtë vetëm disa policë të Katarit të veshur si civilë rrinin të ulur në një SUV, duke pirë duhan.
Edhe sikur të kishte pasur njëqind truproja, një sulm ajror nuk do të mund të parandalohej. Megjithatë, al-Hayya dhe njerëzit e tij dukeshin të qetë dhe të bindur për sigurinë e tyre. Besimi i tyre bazohej në idenë se Katari ishte një vend i sigurt – një terren neutral ku ata ndiheshin të lirë të lëviznin pa shumë kufizime.
Por klima kishte ndryshuar. Më 31 korrik 2024, Izraeli kishte vrarë Ismail Haniyeh-un, figurën politike më të njohur të Hamasit, ndërsa ai ndodhej në Teheran për ceremoninë e betimit të presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Në atë kohë, ndërsa lufta në Gaza vazhdonte me intensitet, nuk mund të mos pyesja veten nëse ishte e mençur të isha në të njëjtën dhomë me Khalil al-Hayya-n. Por, ashtu si ai, besoja se Katari ishte një zonë e paprekshme – një vend që për shumë vite është përpjekur të luajë rolin e ndërmjetësit neutral në Lindjen e Mesme, shpesh i krahasuar me Zvicrën.
Në Doha, amerikanët patën zhvilluar bisedime me talebanët afganë, dhe që nga sulmet e 7 tetorit 2023, Katari kishte qenë një nga qendrat kryesore të diplomacisë për ndalimin e luftës dhe negociatat për armëpushim.
Megjithatë, përpjekjet e fundit paqësore – të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Steve Witkoff – kishin hyrë në ngërç. Sot, ato konsiderohen të dështuara. Siç e përshkroi një diplomat i lartë perëndimor: “Diplomacia nuk ekziston më.”
Nga ana tjetër, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka siguruar qytetarët e tij se armiqtë e Izraelit nuk do të ndihen më të sigurt askund – dhe se po paguajnë çmimin për sulmet e 7 tetorit.