Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 qershor 2025
Studiuesit holandezë kanë mbledhur të dhëna mbi më shumë se 40 operacione të inteligjencës ruse në Evropë në vitin 2024. Në vitin 2021, para pushtimit të Ukrainës, kishte vetëm tre. Cilat janë qëllimet e Moskës
Akte sabotimi kundër dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë, propagandë pro-ruse, madje edhe vrasje: lista e operacioneve të inteligjencës ruse në Evropë po zgjatet gjithnjë e më shumë. Që nga fillimi i luftës së agresionit kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, numri i rasteve është rritur vazhdimisht, sipas një studimi nga Universiteti holandez i Leidenit.
Drejtuesi i projektit studimor, Bart Schuurman e sheh studimin e ekipit si një “thirrje zgjimi” për politikën në Evropë, shkruan Schuurman. Eksperti i sigurisë kryeson Grupin e Kërkimit për Terrorizmin dhe Dhunën Politike në Universitetin e Leidenit
Rusia nuk është përgjegjëse vetëm për “dëmet e konsiderueshme në infrastrukturën evropiane të energjisë dhe telekomunikacionit”, por edhe për “sulme terroriste ndaj aviacionit civil dhe kërcënimeve ndaj shërbimeve publike që mund të rrezikojnë mijëra njerëz”, tha Schuurman.
Sulmi me zjarrvënie ndaj një kontejneri ajror mallrash që i përkiste kompanisë gjermane të logjistikës DHL, pak para se të ngarkohej në një aeroplan, tregon se organizatorët e dyshuar rusë janë të përgatitur të pranojnë rrezikun e lëndimeve personale. Ashtu si në Luftën e Ftohtë, Rusia po përdor të gjithë gamën e masave të inteligjencës, thotë Gerhard Conrad, një ish-agjent i Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane (BND), në një intervistë me DW. Bëhet fjalë për “frikësimin e popullsisë”, si dhe për “aktivitete spiunazhi kundër objektivave ushtarakisht të rëndësishëm, nga industria e armëve deri te bazat e Bundeswehr-it”, thotë Conrad.
Fenomen i ri: Rekrutimi i agjentëve të disponueshëm