Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 nentor 2025
Një ndërprerje e papritur me përmasa globale ka tronditur sot shërbimet e Cloudflare, gjigantit të sigurisë dhe infrastrukturës së internetit, duke lënë pa funksion platforma si X (ish-Twitter), OpenAI, Canva, PayPal, Uber dhe një numër të madh lojërash online. Incidenti nisi rreth orës 12:00 me orën e Shqipërisë, kur kompania njoftoi për një “problem në serverë” që prekte mijëra klientë në të gjithë botën.
Edhe faqja zyrtare e statusit të Cloudflare u përball me dështime, duke humbur dizajnin bazë dhe duke treguar se problemi ishte në thelb të sistemeve qendrore. Si një nga shtyllat kryesore të internetit modern – me DNS, firewall, mbrojtje DDoS, CDN dhe shërbime sigurie – çdo rrëshqitje e Cloudflare ka efekt domino, duke paralizuar qindra platforma dhe aplikacione.
Ndërprerja, që goditi rrjete sociale, faqe interneti, shërbime financiare dhe lojëra, nxjerr në pah brishtësinë e infrastrukturës online. Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e një sulmi masiv, një gabimi kritik konfigurimi apo komprometimi nga një partner i jashtëm.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit të ruajnë qetësinë dhe të kuptojnë se problemi nuk lidhet me pajisjet e tyre, ndërsa bizneset e varura nga Cloudflare duhet të kontrollojnë log-et dhe të përgatiten me opsione alternative në rast se situata përsëritet.

















