Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
05 dhjetor 2025
Një studim i ri ka zbuluar se një pije sa e thjeshtë aq edhe e përballueshme, kakaoja, mund të zvogëlojë ndjeshëm efektet negative që stresi dhe ushqimet e yndyrshme shkaktojnë në organizëm.
Hulumtimi, i kryer nga Universiteti i Birminghamit dhe i botuar në revistën Food & Function, sugjeron se pirja e kakaos gjatë periudhave stresuese ndihmon në rikuperimin më të shpejtë të funksionit vaskular, sidomos kur konsumohet pas vakteve të pasura me yndyrë. Studiuesit theksojnë se, ndonëse gjatë stresit njerëzit priren të marrin ushqime të yndyrshme, një pije me kakao të pasur me flavanol epikatehin mund të neutralizojë një pjesë të dëmeve.
Çfarë tregoi studimi?
Në studim morën pjesë 23 të rritur të shëndetshëm. Pjesëmarrësit konsumuan një vakt të yndyrshëm dhe më pas një pije kakaoje me përmbajtje të ndryshme epikatehini, para se t’i nënshtroheshin një testi stresi. Matjet treguan se tek ata që konsumuan kakao me shumë epikatehin, rikuperimi i enëve të gjakut ishte dukshëm më i shpejtë 90 minuta pas stresit.
Megjithëse nuk u vunë re ndryshime të tjera domethënëse në presionin e gjakut, oksigjenimin e trurit apo gjendjen emocionale mes grupeve, përmirësimi vaskular ishte i qartë tek grupi që mori sasinë më të lartë të flavanoleve.
Pse ushqimet e yndyrshme e përkeqësojnë stresin?
Sipas studiuesve, yndyra ngadalëson rikuperimin vaskular dhe rrit rrezikun për dëmtime të zemrës, sidomos te personat që punojnë nën stres të lartë. Nivelet e larta të triglicerideve dhe proteinës C-reaktive pas ushqimit të yndyrshëm zvogëlojnë prodhimin e oksidit nitrik – një molekulë kyçe për zgjerimin e enëve të gjakut.
Stresi kronik rrit gjithashtu hormonet e stresit, inflamacionin dhe presionin e gjakut, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare si hipertensioni, infarkti apo goditja në tru.
Si i neutralizon kakaoja këto efekte?
Epikatehini që gjendet natyralisht te kakaoja, çaji jeshil, manaferrat dhe rrushi rrit prodhimin e oksidit nitrik, duke përmirësuar funksionin e enëve të gjakut. Flavanolët kanë gjithashtu veti të fuqishme antioksiduese dhe anti-inflamatore, të cilat kontribuojnë në rikuperimin e përgjithshëm të trupit gjatë stresit.
Sa kakao duhet konsumuar? Rekomandimet e studiuesve
Për të arritur efektet pozitive të vërejtura në studim, ekspertët rekomandojnë një nga opsionet e mëposhtme:
- 5.5 lugë kakao të papërpunuar,
- 2 filxhanë çaj jeshil,
- ose 300 gramë manaferra.
Sipas tyre, shtimi i këtyre burimeve të flavanoleve në dietë mund të ndihmojë në zbutjen e efekteve të stresit, veçanërisht kur ushqimet e yndyrshme janë të pashmangshme.

















