Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
03 nentor 2025
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit sot në Hagë nga Ministri i Jashtëm holandez David van Weel, në një takim me fokus partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë.
Të dy homologët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian. Deklarata e firmosur synon fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit në fushën e integrimit europian, sigurisë dhe ekonomisë.
Ministrja njofton se e falenderoi homologun holandez për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5.
Ky kapitull përmbyll hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Sipas Spiropalit, qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.
Ministri holandez theksoi se vendi i tij do të vijojë mbështetjen për fuqizimin e kapaciteteve institucionale në rrugën e transformimit dhe fuqizimit demokratik të vendit.

















