Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
19 dhjetor 2025
UEFA dhe CONMEBOL kanë bërë të ditur zyrtarisht datën dhe stadiumin ku do të zhvillohet “Finalissima 2026”. Përballja mes dy kampionëve kontinentalë – fituesit të Euro 2024 dhe Copa América 2024 – do të luhet më 27 mars 2026, në stadiumin “Lusail” në Katar, me fillim nga ora 21:00.
Kjo ndeshje përfaqëson bashkëpunimin mes dy konfederatave më të mëdha të futbollit, UEFA-s dhe CONMEBOL-it, duke sjellë përballë njëra-tjetrës ekipet më të forta të Evropës dhe Amerikës së Jugut. Formati u rikthye në vitin 2022, kur Argjentina triumfoi ndaj Italisë me rezultat 3-0 në stadiumin “Wembley”.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e cilësoi “Finalissima”-n si një event të veçantë që forcon lidhjet mes konfederatave dhe sjell një duel prestigjioz mes kampionëve kontinentalë. Edicioni i vitit 2026 pritet të zgjojë interes të madh global dhe të ofrojë një spektakël futbolli në nivelin më të lartë.

















