Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
03 shkurt 2026
Kuvendi do të mblidhet këtë të martë, më 3 shkurt, në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar 14 pika për shqyrtim. Një prej tyre pritet të shkaktojë debate politike, pasi lidhet me propozimin e mazhorancës për ndryshimin e përbërjes dhe drejtimit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Partia Socialiste ka propozuar rishikimin e formulës aktuale të komisionit, duke hequr ndarjen e barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas propozimit të ri, komisioni do të ketë 17 anëtarë, nga të cilët 9 do t’i përkasin PS-së dhe 8 opozitës.
Po ashtu, mazhoranca kërkon ndryshimin e strukturës drejtuese, duke hequr modelin e dy bashkëkryetarëve dhe duke vendosur një kryetar nga mazhoranca, ndërsa opozita do të përfaqësohet nga një nënkryetar.
Socialistët argumentojnë se këto ndryshime janë të nevojshme për të garantuar funksionimin normal të komisionit, pas mungesës së opozitës në mbledhjet e fundit, të cilat mazhoranca i ka konsideruar si bojkot.
Pas mosprezencës së opozitës në mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Territoriale, mazhoranca ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga nisma dhe se propozimi do të shqyrtohet dhe votohet në seancën plenare.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mohuar bojkotin, duke deklaruar se mungesa ka ardhur për shkak të angazhimeve paralele. Madje, një ditë më parë, Kryesia e PD-së ka vendosur që të mos bojkotojë komisionet e posaçme për reformën territoriale dhe zgjedhore.
Ky ndryshim qëndrimi erdhi vetëm pak orë pasi socialistët njoftuan se do ta çonin përpara miratimin e ndryshimeve, duke marrë shumicën dhe drejtimin e komisionit.
Kryetari i grupit socialist, Arbjan Mazniku, ka theksuar se përshpejtimi i reformës territoriale lidhet me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, si dhe me procesin e negociatave.
Nëse propozimi miratohet, drejtimi i Komisionit të Reformës Territoriale do t’i kalojë deputetit socialist Arbjan Mazniku, ndërsa Luçiano Boçi nga Partia Demokratike do të jetë nënkryetar. Ndërkohë, PD ka paralajmëruar se mund të ngrejë komisione paralele për të hartuar propozimet e saj për reformat.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca parlamentare disponon votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet e propozuara.

















