Sot, seanca për konstituimin e Kuvendit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 shkurt 2026

Seanca për konstituimin e Kuvendit është planifikuar të mbahet sot në orën 17:00. Kjo seancë pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bëri të ditur se është arritur pajtueshmëri që në seancën konstituive të së nesërmes nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako.

Ai theksoi se, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ndryshimi i vetëm ka të bëjë me orarin e mbajtjes së seancës konstituive. Në vend se të nisë në orën 12:00, siç kishte propozuar më herët presidentja Vjosa Osmani, ajo do të fillojë në orën 17:00. “Liderët e subjekteve politike janë pajtuar që seanca konstituive të mbahet në orën 17:00 dhe më pas të procedohet me votimin e Qeverisë”, deklaroi Basha.

Sipas tij, ndryshimi i orarit erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të mbajtjes në Hagë të deklaratave përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Scroll to Top