Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 korrik 2025
Aktivistja e njohur Greta Thunberg pritet të vijë sot në Tiranë për të protestuar për Gazën. Protesta zhvillohet nga mbështetës të Palestinës në Tiranë në orën 18:00.
Aktivistja Greta Thunberg do të jetë këtë të mërkurë e pranishme në protestën në mbështetje të palestinezëve që do të mbahet në Tiranë. Protesta do të mbahet në orën 18:00, në sheshin Skënderbej.
“Urgjente. Ndalo urinë. Lejo ushqimin, lejo jetën. Protesto me Greta Thunberg”, shkruhet në posterin e shpërndarë nga Lëvizja për të Drejtat e Njeriut dhe Paqen Ndërkombëtare “Solidariteti Albania”.
Aktivistja është shprehur përmes një videoje se duhet të bëhemi bashkë për t’i dhënë fund pushtimit të paligjshëm izraelit në Gaza.
Gaza ka hyrë në fazën 5 të kequshqyerjes dhe palestinezët po përdorin pak energji që u ka mbetur për të nxitur botën të ngrihet dhe të zgjedhë një anë. Ne do të ngrihemi së bashku për të kërkuar fundin e pushtimit të paligjshëm, aparteidit dhe gjenocidit të Izraelit”, thotë ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Thunberg proteston për Palestinën. Në muajin qershor, ajo bashkë me disa aktivistë të tjerë u ndaluan nga ushtria izraelite në një anije me të cilën synonin të dërgonin ndihma në Rripin e Gazës.