Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 nentor 2025
Sot hapet grupkapitulli i fundit i negociatave në kuadër të Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë, duke theksuar se Bashkimi Evropian është “shtëpia e re e shqiptarëve”.
Gjatë fjalës së saj, Kos deklaroi se e ndjen veten si “ambasadorja e katërt e Shqipërisë në Bruksel”, duke nënvizuar se rezultatet e arritura janë të dukshme dhe konkrete. Ajo theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të madh falë punës së vazhdueshme dhe vendosmërisë në procesin e reformave.
“Ju nuk po bëni vetëm premtime, por po jepni rezultate. Ne shohim veprat. Jam shumë e lumtur që mund t’i shpjegoj me fakte progresin gjigant që keni arritur. Nuk ka proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar që sheh nga e ardhmja dhe kërkon arsye pse diçka është e mundur,” u shpreh Kos, duke vlerësuar udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në mbyllje, komisionerja theksoi mesazhin e saj simbolik: “Kjo është shtëpia juaj e re. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.”

















