Të martën e të mërkurën zhvillohen ndeshjet e xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve. Faza e ligës i ka tetë xhiro gjithsej, ndërsa tashmë secila ndeshje ka peshë sa i takon kualifikimit të mëtejmë.
Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Në fazën e ligës janë plot 36 skuadra. Tetë skuadrat e para në tabelë kualifikohen direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24-t kualifikohen në fazën e plejofit, që është raund para një të tetës së finales. Skuadrat e pozitës prej nëntë deri në 16-të në raundin e plejofit janë bartëse në short, ndërsa skuadrat prej pozitës së 17-të deri në pozitën e 24-t në short nuk do të jenë bartës. 12 skuadrat e fundit në tabelë pas tetë xhirosh, eliminohen.
Jo të gjitha skuadrat e mëdha kanë shfaqur atë që është pritur deri më tani. Për shembull, Real Madridi është vetëm i 24-ti, përkatësisht në pozitën e fundit që siguron avancimin tutje. Manchester City renditet i 17-ti, ndërsa PSG-ja është jashtë zonës që siguron avancimin tutje. I ka vetëm katër pikë në vendin e 25-të.
Për kampionin në fuqi, Real Madridin, ndeshja e xhiros së gjashtë është me rëndësi të madhe. Madrilenët të martën nga or 21:00 luajnë në Bergamo ndaj Atalantas. Skuadra italiane, Atalanta, është fituese në fuqi e Ligës së Evropës. Në Champions mban vendin e pestë me 11 pikë. Është vetëm njëra prej tri skuadrave që nuk kanë pësuar humbje në pesë xhirot e para.
Atalanta është në moment shumë të mirë. Është lidere në Serie A me 34 pikë, dy më shumë se Napoli. Në kampionatin italian është në seri prej nëntë fitoreve. Së fundi ka humbur në kampionat më 24 shtator. Më pas barazoi me Bolognan më 28 shtator dhe prej atëherë ka vetëm fitore. Së fundi fitoi 2:1 ndaj Milanit.
Në Champions barazoi pa gola me Arsenalin e vazhdoi me fitore 3:0 ndaj Shaktar Donetskut. Më pas barazoi pa gola me Celticun, kurse në dy xhirot e fundit fitoi ndaj Stuttgartit dhe Young Boysit.
Real Madridi po kthehet ngadalë në rrugën e duhur, të paktën në La Liga. Është i dyti me 36 pikë. Ka dy pikë më pak se Barcelona, por edhe një ndeshje më pak të luajtur. Skuadra e Carlo Ancelottit fitoi në fundjavë 3:0 ndaj Gironas. Por më 4 dhjetor kishte pësuar 2:1 nga Athletic Bilbao.
Për të dy skuadrat pritet të jetë ndeshje shumë e vështirë, por edhe shumë e rëndësishme.
“Atalanta po bën punë të mirë. Është në moment pozitiv dhe me plot entuziazëm. Por ne jemi të vendosur të marrim pikët dhe të përfitojmë nga ndeshjet e mbetura. Besoj plotësisht në ekipin tim. Gjërat janë përmirësuar ndjeshëm së fundit dhe do të vazhdojnë të përmirësohen. E konsiderojmë këtë ndeshje si njërën prej më të vështirave që kemi luajtur së fundi”, ka theksuar Ancelotti.
Paris Saint-Germaini mund të bëjë hap të rëndësishëm drejt fazës tjetër. Po të martën nga ora 21:00 luan ndaj Salzburgut në Austri. Salzburgu i ka vetëm tri pikë, por do ta kalonte Parisin në tabelë me fitore eventuale.

















