Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
24 dhjetor 2025
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtatë persona, për veprën penale ‘Mashtrimi’ .
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8500 të vitit 2023, të nisur pas informacioneve të marra në rrugë operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë ‘Forex’, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i.
Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.
Në këtë proces gjykimi janë ndarë aktet dhe hetimet po vijojnë në një çështje të re, të regjistruar me numrin 8500/1, për veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, sipas nenit 143/3 të Kodit Penal, si edhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Hetimet po zhvillohen edhe për viktima të tjera, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Gjatë këqyrjes së telefonave të sekuestruar dhe aplikacionit WhatsApp, janë zbuluar komunikime me persona të ndryshëm, të regjistruar me identitete italiane, të cilët kishin dërguar fotografi të dokumenteve të identitetit, të kërkuara nga përdoruesit e telefonave. Nga këto biseda rezulton se viktimave u kërkoheshin shuma të ndryshme parash për t’u investuar në mënyrë fiktive në tregun Forex, me premtimin për përfitime të larta financiare.
Në një nga rastet, një shtetas i identifikuar si L.C. ka komunikuar se kishte kryer një transfertë prej 8,700 eurosh, pagesë e realizuar pas nënshkrimit të një kontrate që parashikonte një investim prej 100,000 eurosh. Transferta bankare, e kryer më 29 nëntor 2023, ishte justifikuar si hua. Nga komunikimet e mëtejshme rezulton se ky shtetas ka shprehur dyshime se bëhej fjalë për një mashtrim, ndërsa më 13 dhjetor 2023 i është kërkuar sërish të dërgojë 3,500 euro, me arsyetimin se bëhej fjalë për penalitet për shkak të vonesës së transfertës së parë.
Sipas hetimeve, aktiviteti mashtrues i zhvilluar në ambientet e call center-it është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me synim përfitimin pasuror. Të përfshirët kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën e paligjshme të veprimtarisë, e cila konsistonte në kontaktimin e klientëve të huaj për investime të rreme në Forex, duke ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin skemë për përfitimin e shumave monetare pa qëllim kthimi.
Nga rolet e evidentuara, shtetasi Gj.R., i punësuar pranë shoqërisë “OZAR” sh.p.k., ka qenë i angazhuar aktivisht në ndjekjen e klientëve dhe koordinimin e punës së operatorëve. Shtetasi L.Sh. ka pasur një rol drejtues në strukturën e brendshme, duke dhënë udhëzime dhe duke shpërndarë detyra. E.A., administrator ligjor i shoqërisë, akuzohet për mosveprim, pasi ka pranuar të figurojë si drejtues pa ndërmarrë masa për të parandaluar përdorimin e kompanisë për veprimtari të paligjshme.
Ndërkohë, shtetasi A.Ll. ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe ka mbështetur operatorët, ndërsa B.B. dhe K.D. janë konstatuar në ambientet e shoqërisë në momentin e ndërhyrjes së policisë, me dijeni të plotë mbi aktivitetin mashtrues. J.J. ka pasur rolin e personit kryesor përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
Në përfundim, nga provat e administruara rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, kanë përmbushur të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

















