Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
08 janar 2026
Dosja hetimore e SPAK për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe financiare, që implikojnë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe institucione kyçe shtetërore. Përveç dyshimeve për fryrje fiktive të faturave dhe favorizim të pajustifikuar të kompanisë ndërtuese turke, hetimi ka hapur një tjetër kapitull problematik: rimbursimin e dyshimtë të TVSH-së për punimet e tunelit.
Sipas burimeve hetimore, afera që kap vlerën e rreth 190 milionë eurove, nuk përfshin vetëm zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe drejtuesit e ARRSH-së, por shtrin përgjegjësinë edhe te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila dyshohet se ka toleruar shkelje të rënda për vite me radhë.
Punime pa leje, por me TVSH të kredituar
Nga verifikimet e kryera rezulton se kompania ndërtuese ka ushtruar aktivitet për afro tre vite pa pasur dokumentacion të vlefshëm ligjor për ndërtimin e tunelit, ndërkohë që Tatimet i kanë njohur të drejtën e kreditimit të TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e përdorura në këtë projekt.
Kreditimi i TVSH-së është një mekanizëm ligjor që synon të shmangë taksimin e dyfishtë për bizneset, duke garantuar që barra tatimore të bjerë vetëm mbi konsumatorin final. Megjithatë, ligji shqiptar është i qartë: kjo e drejtë u njihet vetëm subjekteve që operojnë mbi bazën e një lejeje ndërtimi të vlefshme dhe që kanë regjistruar projektin pranë organeve tatimore.
Në rastin e tunelit të Llogarasë, leja e ndërtimit rezulton të jetë bërë efektive vetëm në maj të vitit 2025, në një kohë kur objekti kishte përfunduar dhe ndodhej në prag të inaugurimit. Ky fakt e bën të paligjshëm çdo kreditim të TVSH-së të kryer para kësaj date.
Tatimet nën hetim: tolerim i qëllimshëm?
Përgjegjësia direkte për këtë shkelje ligjore rëndon mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka për detyrë ligjore kontrollin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë ekonomike të subjekteve ndërtuese. Sipas burimeve, ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi, dhe pasuesja e tij që nga korriku 2024, Elidjana Çelaj, dyshohet se kanë toleruar pagesa dhe deklarime tatimore nga një kompani që vepronte pa leje ndërtimi.
Ky tolerim ka ngritur dyshime serioze për standard të dyfishtë në trajtimin e bizneseve nga ana e administratës tatimore.
Kontrast i fortë: butësi për veprat publike, ashpërsi për bizneset private
Ndërsa në rastin e projekteve publike të financuara me para shtetërore nuk janë ushtruar kontrolle efektive, në raste të tjera Tatimet kanë vepruar me ashpërsi të diskutueshme. Shembull flagrant është gjoba prej 4 milionë eurosh ndaj “Prestige Resort”, e vendosur vite pas shembjes së objektit dhe përtej afateve ligjore, nga inspektori Olsi Kuca, me procedura të kontestuara dhe në kundërshtim me proceset gjyqësore në zhvillim.
Ky kontrast forcon bindjen se administrata tatimore ka aplikuar politika selektive, duke ndëshkuar biznese private dhe duke mbyllur sytë për shkelje të rënda në projekte publike me vlerë qindra milionë euro.
Hetim i ri në horizont
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se gjatë këtij viti pritet të nisë një hetim i posaçëm për shkeljet e dyshuara nga drejtuesit e Tatimeve, përfshirë njohjen e paligjshme të TVSH-së dhe vendosjen e gjobave jashtë kuadrit ligjor ndaj bizneseve.
Skandali i tunelit të Llogarasë po shndërrohet kështu në një test serioz për drejtësinë shqiptare, ku në lojë nuk është vetëm përgjegjësia individuale e zyrtarëve, por besimi i publikut te mënyra se si administrohen fondet dhe ligji në Shqipëri.
Lexo artikuj te ngjashem: https://lapsiinfo.com/me-te-fundit/belinda-balluku-apelon-masen-e-sigurimit-kunder-ndalimit-per-te-dale-jashte-vendit-dhe-pezullimit-nga-detyra/
Lexo dhe të ngjashme:

















