Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 qershor 2025
Policia franceze ka nisur hetime ndaj disa personave pas një incidenti të pazakontë në Disneyland Paris, ku u inskenua një dasmë e rreme me një vajzë rreth nëntë vjeç të veshur si nuse.
Ceremonia e dyshimtë ndodhi të shtunën në mëngjes, përpara hapjes së parkut tematik, i cili ishte marrë me qira për një ngjarje private që u paraqit fillimisht si një martesë e vërtetë. Mirëpo, stafi dhe sigurimi i Disneyland Paris u alarmuan kur panë një vajzë të mitur të veshur me fustan nusërie, duke thirrur menjëherë policinë.
Sipas zyrës së prokurorit në Meaux, pas hetimeve paraprake rezultoi se nuk bëhej fjalë për një martesë ligjore, por për një ngjarje të inskenuar me aktorë dhe figurantë. “Ishte një event i filmuar, me rreth 100 pjesëmarrës të paguar. Parku ishte marrë me qira me pretendimin për një dasmë të vërtetë,” tha zëvendësprokurori për agjencinë AFP.
Katër persona u arrestuan, ndërsa dy prej tyre, një 22-vjeçar britanik që dyshohet si organizatori i ngjarjes dhe një 24-vjeçare letoneze, po merren ende në pyetje nën dyshimet për mashtrim dhe pastrim parash.
Vajza, që është me origjinë ukrainase, nuk është raportuar të ketë qenë viktimë e dhunës apo shtrëngimit. Nëna e saj, 41 vjeç, u lirua nga policia së bashku me një burrë 55-vjeçar nga Letonia.
Nuk është bërë ende e qartë cili ishte qëllimi i kësaj “martese” të rreme dhe pse u përfshi një fëmijë në këtë aktivitet të pazakontë. Raportet e mediave franceze tregojnë se figurantët që luanin rolin e të ftuarve ishin sjellë me autobusë në park për xhirime.