Silvinho: Ndeshje speciale me Serbinë, çfarë pres nga lojtarët

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 maj 2025

Trajneri Silvinjo e cilësoi si speciale ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Sipas tij, lojtarët që do të vijnë në grumbullim, duhet të jenë të gatshëm të japin zemrën dhe shpirtin në fushë.

Në konferencën për shtyp, Silvinjo u shpreh se të gjithë lojtarët do të jenë të rëndësishëm për dy ndeshjet, ndaj Serbisë dhe Letonisë.

“27 lojtarët që kam janë shumë të rëndësishëm. Duhet ta përgatisim ndeshjen mirë. I njohim kundërshtarët. Ata mund të na kenë studiuar ne, kështu që mund të kemi ndonjë ndryshim, pro të shohim në ditët e ardhshme, kur të përgatisim ndeshjet.

Jane dy ndeshje të forta dhe të vështira. Kemi parë ndeshjet që kanë luajtur. Ne kemi pasur një vit që kemi luajtur me kundërshtarë të vështirë. Janë dy skuadra të forta dhe kanë centimetra. Janë shumë të fortë. Duhet të harxhojmë shumë energji për ta. Çdo ndeshje futbolli zgjat 90 minuta dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne kemi mundësitë tona dhe do të përgatitemi mirë.

Jam i sigurt që do të duhet të punojmë, sepse me Serbinë është ndeshje speciale. Kjo vlen për të dyja ndeshjet. Na presin 7 ditë pune intensive. Lojtarët duhet të vijnë me dëshirën për të dhënë gjithçka në fushë. Ne letër mund të diskutohet vendi i dytë, por futbolli luhet në fushë. Kërkoj që lojtarët të japin zemrën në fushë. Fusha do të flasë”, deklaroi Silvinjo.

Scroll to Top