Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 shkurt 2026
Një shtetas shqiptar, me inicialet V. Berisha, i njohur edhe si “Vinny Berisha”, është përmendur në dokumentet e publikuara së fundmi që lidhen me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein. Sipas të dhënave të siguruara ekskluzivisht nga “MaShqip”, emri i tij shfaqet në të paktën 43 dokumente, përfshirë letra dhe email-e të shkëmbyera me persona nga rrethi i ngushtë i Epstein, lidhur me organizimin e takimeve dhe realizimin e punimeve ndërtimore në rezidencën luksoze të tij në Manhattan.
Bisedat datojnë nga 3 tetor 2018 deri më 15 shkurt 2019 dhe përfshijnë diskutime për rinovimin e një dhome masazhi, ndërtimin e një sauna, rregullimin e “master bathroom” dhe punime të tjera të brendshme. Berisha prezantohet si pronar i një kompanie ndërtimi dhe ka negociuar ofertat financiare për projektet. Në dokumente përmenden edhe emra të tjerë të përfshirë në koordinimin e punimeve, si Richard Kahn, David Mitchell, Merwin Dela Cruz dhe Karyna Shuliak.
Një takim i planifikuar për Berishën në rezidencën e Epstein është konfirmuar më 1 shkurt 2019, në orën 15:15, nga administratorja e Epstein, Lesley Groff. Megjithatë, dokumentet nuk japin një konfirmim të qartë nëse takimi u realizua apo punimet u kryen.
Ky zhvillim ndodhi vetëm pesë muaj para arrestimit të Epstein dhe rreth gjashtë muaj para vdekjes së tij në burg, periudha më kritike e jetës së financierit të akuzuar për trafik seksual.

Rezidenca e Epstein në Upper East Side, e njohur si një nga “foletë” kryesore të abuzimeve, ka kaluar së fundmi një rinovim masiv me investime miliona dollarëshe. Një nga viktimat ka rrëfyer publikisht për tmerrin e përjetuar aty, duke përshkruar ambientin si “burg luksoz të abuzimit”, ku ishte kërcënuar, droguar dhe detyruar në akte seksuale.
Sipas dokumenteve të publikuara, Berisha shfaqet vetëm si kontraktor ndërtimi që ka negociuar projekte dhe ka pasur një takim të planifikuar në rezidencën e Epstein. Nuk ka prova që të tregojnë përfshirjen e tij në aktivitetet kriminale të Epstein. Megjithatë, fakti që emri i një shqiptari shfaqet në 43 dokumente dhe komunikime direkte me rrethin e ngushtë të Epstein, ngrit pikëpyetje dhe shton misterin mbi personat që kanë pasur akses në botën private të një prej figurave më të errëta të historisë amerikane moderne.

















