Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
23 korrik 2025
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sot për herë të parë sanksione të posaçme kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve, duke shënjestruar udhëheqës të bandave kriminale, ndërmjetës dhe furnizues të pajisjeve për kontrabandimin e migrantëve, nga Azia deri në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.
Sanksionet prekin një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale – nga furnizimi me varka të vogla për kontrabandë, sigurimi i pasaportave të rreme, transferta ilegale përmes sistemit Hawala, kontrabandimi me kamionë apo varka, deri tek drejtuesit e rrjeteve kriminale.
Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, llogarive bankare dhe ndalimin e veprimeve financiare me Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar të paralizojnë aktivitetin kriminal.
Kjo iniciativë është pjesë e planit qeveritar “Plan for Change”, dhe është sanksioni i parë në botë i dedikuar për të luftuar trafikimin e njerëzve dhe krimin e organizuar të imigracionit të paligjshëm.
David Lammy, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, u shpreh: “Ky është një moment historik në përpjekjet tona për të ndalur krimin e organizuar të imigracionit. Ne do t’i gjejmë trafikantët kudo që të jenë dhe do t’i bëjmë përgjegjës. Mesazhi im për bandat që rrezikojnë jetë njerëzish për përfitime është i qartë: E dimë kush jeni dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për t’ju ndalur.”
Emrat që u sanksionuan sot:
Bledar Lala, shqiptar, drejtues i operacioneve të një bande në Belgjikë që kontrabandon njerëz përmes Kanalit Anglez.
Alen Basil, ish-përkthyes policor në Serbi, që drejton një rrjet kontrabande të dhunshëm, bashkë me zyrtarë të korruptuar.
Mohammed Tetwani, i njohur si “Mbreti i Horgos” në Serbi, udhëheqës i bandës famëkeqe Tetwani që torturon refugjatët që nuk paguajnë.
Një kompani kineze, Weihai Yamar Outdoors Product Co, u sanksionua për shitjen e varkave të përdorura për trafikim të njerëzve drejt Britanisë.
Të tjerë individë të përfshirë në rrjetet e trafikimit:
Grupi i lidhur me Irakun:
Goran Assad Jalal, kontrabandonte migrantë në frigoriferë kamionësh.
Hemin Ali Salih, Dedawan Dazey, Roman Ranyaye, Azad, Nuzad dhe Nihad Khoshnaw – të gjithë të përfshirë në kontrabandë njerëzish dhe pajisje për udhëtime të rrezikshme nëpër kanal.
Rrjeti Hawala (transferime të paligjshme parash):
Muhammed Khadir Pirot, Mariwan Jamal dhe Rafiq Shaqlaway – të përfshirë në menaxhimin e pagesave për trafikantët nëpërmjet Hawala-s nga Iraku në Turqi dhe më tej.

















