Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin, mbërrinë dërgesa e parë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

24 dhjetor 2025

Shqipëria është pajisur me sistemet Javelin. Lajmin e jep ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili thotë se ato janë siguruar falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Javelin-at do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë

Duke folur nga një prej bazave të Forcës Tokësore, Vengu theksoi se nuk është e nevojshme të jepen detaje për vendndodhjen, por konfirmoi se sasia e parë e njësive të lëshimit dhe raketave përkatëse tashmë ka mbërritur. Sipas tij, kjo ndihmë ka rëndësi të trefishtë: përmbush një kërkesë të kahershme të Forcave të Armatosura, forcon bashkëpunimin strategjik me SHBA-të dhe rrit aftësitë profesionale të personelit ushtarak përmes trajnimit me sisteme moderne.

Ministri bëri të ditur se kjo është vetëm faza e parë e furnizimit, ndërsa një dërgesë e dytë pritet gjatë vitit të ardhshëm. Ai shtoi se pajisjet e reja do të shërbejnë jo vetëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, por edhe për mbështetjen e trupave shqiptare në misionet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke pasur një përdorim të dyfishtë operacional.

Sistemet Javelin konsiderohen ndër armët më të avancuara kundërtanke, të lehta dhe të bartshme nga një ushtar i vetëm, me teknologjinë “zjarr dhe harro”. Ato përdoren për shkatërrimin e mjeteve të blinduara, bunkerëve dhe objektivave të fortifikuara, duke ofruar një nivel të lartë sigurie për operatorin.

Falë drejtimit me rreze infra të kuqe dhe aftësisë për sulm nga lart, Javelin godet pjesët më të dobëta të tankeve dhe mund të përdoret si ditën ashtu edhe natën. Sistemi është zhvilluar nga kompanitë Raytheon dhe Lockheed Martin dhe përbëhet nga Njësia e Komandimit dhe Lëshimit (CLU) dhe raketa, duke i mundësuar ushtarëve të lëshojnë raketën dhe të marrin menjëherë mbulim pa u ekspozuar ndaj rrezikut.

Scroll to Top