Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta
04 shtator 2025
Qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian janë thuajse të ndarë në mënyrë të barabartë në vlerësimin e tyre, nëse Shqipëria duhet të jetë ose jo pjesë e Unionin pasi të plotësojë kushtet për anëtarësim (në total 45% pro dhe 44% kundër). Shqiptarja.com ka marrë në analizë të dhënat e sondazhit të Eurobarometrit, të cilat tregojnë se ndër vendet fqinje, Greqia është në shumicë kundër. Ndërkohë, paksa i habitshëm duket qëndrimi i italianëve, ata janë të ndarë pothuajse në gjysmë teksa vlerësojnë nëse Shqipëria duhet të jetë ose jo pjesë e familjes europiane.
Habia është se mbështetja më e madhe për Shqipërinë vjen nga vendet e Skandinavisë me një shumicë dukshëm pro anëtarësimit të vendit tonë. Shqetësim mund të konsiderohen të dhënat që vijnë nga vendet lider të BE, Franca dhe Gjermania, ku ata që janë kundër, përbejnë shumicën. Sondazhi u zhvillua periudhën shkurt-mars 2025 me pjesëmarrjen e 26,300 qytetarëve.
Vendet skandinave, kampione të mbështetjes
Në krye të listës së mbështetësve qëndron Suedia, ku 74% e qytetarëve janë pro dhe vetëm 19% kundër. Ky është niveli më i lartë pozitiv në gjithë BE-në. Edhe Danimarka me 60% pro dhe Finlanda me 53% pro shfaqin qëndrime të qarta pro zgjerimit me Shqipërinë.
Në këtë grup duhet përfshirë edhe Estonia, ku 47% janë pro dhe 40% kundër, Letonia me 46% pro dhe 34% kundër, si dhe Lituania me 45% pro dhe 39% kundër. Vendet baltike, edhe pse më të rezervuara krahasuar me skandinavët, prapë japin një notë pozitive për Shqipërinë.
Evropa Jugore, mes entuziazmit dhe skepticizmit
Në Mesdhe gjejmë kontraste të forta. Në Spanjë, 55% e të anketuarve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe 26% kundër. Në Portugali 53% pro dhe 31% kundër, si edhe Malta 57% pro, 31% kundër.
Nga ana tjetër, Greqia dhe Qiproja, fqinjë me vendin tonë, janë ndër më skeptiket: të dyja me 58% kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe vetëm 39% pro (Greqia) dhe 34% pro (Qipro). Me Greqinë, edhe pse vende aleate dhe fqinje, Shqipëria pati një përplasje të gjatë edhe për çështjen e negociatave për shkak të çështjes së Fredi Belerit.
Në Itali 48% janë pro dhe 47% kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Italia, pavarësisht lidhjeve historike dhe ekonomike të ngushta me Shqipërinë, mbetet e ndarë pothuajse në gjysmë.
Si ndahet Evropa Qendrore dhe Lindore
Në Evropën Qendrore kemi një tjetër panoramë. Nga Kroacia shohim një qëndrim të pritshëm, si një vend fqinj, po edhe me një eksperiencë të ngjashme në rrugën europiane. 58% e qytetarëve në Kroaci shprehen pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe vetëm 36% kundër.
Në Hungari, 49% pro dhe 44% kundër. Poloni 47% pro, 43% kundër dhe Rumania 51% pro, 39% kundër. Mbështetja për vendin tonë është e dukshme, edhe pse jo unanime.
Ndërsa në Çeki dhe Sllovaki mbizotëron skepticizmi, sidomos në Pragë, ku 62% janë kundër dhe vetëm 29% pro. Në Slloveni, 52% janë pro dhe 43% kundër. Në këtë grup bie në sy edhe Irlanda, një nga vendet më pozitive, me 51% pro dhe vetëm 34% kundër.
Franca, Gjermania dhe vendet skeptike të Beneluksit
Në vendet themeluese të BE-së mbështetja për Shqipërinë rezulton nën mesataren. Franca shënon 36% pro dhe 48% kundër. Gjermania shfaqet po ashtu skeptike me 35% pro dhe 56% kundër.
Në Beneluks, kemi 40% të qytetarëve të Belgjikës që shprehen pro anëtarësimit, ndërsa 56% kundër dhe Luksemburgu 52% pro dhe 36% kundër. Holanda 59% e qytetarëve në Holandë janë pro dhe 36% kundër. Në Austrin vetëm 30% pro dhe 64% kundër.
Rezutlatet e sondazhit për Shqipërinë
Belgjikë – Pro 40% , Kundër 56%
Bullgari – Pro 43% , Kundër 41%
Çeki – Pro 29% , Kundër 62%
Danimarkë – Pro 60% , Kundër 28%
Gjermani – Pro 35%, Kundër 56%
Estoni– Pro 47% , Kundër 40%
Irlandë– Pro 51%, Kundër 34%
Greqi – Pro 39% , Kundër 58%
Spanjë– Pro 55%, Kundër 26%
Francë – Pro 36% , Kundër 48%
Kroaci – Pro 58% | Kundër 36%
Itali– Pro 48%, Kundër 47%
Qipro – Pro 34%, Kundër 58%
Letoni – Pro 46% , Kundër 34%
Lituani – Pro 45% , Kundër 39%
Luksemburg – Pro 52%, Kundër 36%
Hungari – Pro 49%, Kundër 44%
Maltë– Pro 57%, Kundër 31%
Holandë – Pro 59%, Kundër 36%
Austri – Pro 30% , Kundër 64%
Poloni – Pro 47%, Kundër 43%
Portugali – Pro 53%, Kundër 31%
Rumani – Pro 51%, Kundër 39%
Slloveni – Pro 52%, Kundër 43%
Sllovaki – Pro 45%, Kundër 47%
Finlandë – Pro 53%, Kundër 27%
Suedi – Pro 74%, Kundër 19%
Kosova, mbështetje edhe te vendet që nuk njohin pavarësinë
