Shqipëria e 81-ta në botë për gatishmërinë ndaj IA-së, mbetet pas rajonit në politika dhe zhvillim teknologjik

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

08 janar 2026

Shqipëria renditet në vendin e 81-të në botë për gatishmërinë ndaj inteligjencës artificiale, sipas Government AI Readiness Index të publikuar nga Oxford Insights. Raporti vlerëson se vendi ka performancë relativisht të mirë në përdorimin e IA-së në sektorin publik, por mbetet dukshëm prapa në hartimin e politikave dhe zhvillimin teknologjik.

Sipas indeksit, vlerësimi më i lartë i Shqipërisë lidhet me përdorimin e IA-së në administratën publike, me 68.95 pikë, duke treguar një nivel të avancuar të adoptimit të zgjidhjeve dixhitale. Qeverisja vlerësohet me 51.67 pikë, ndërsa infrastruktura për IA me 48.44 pikë. Megjithatë, vendi shfaq mangësi të theksuara në kapacitetin për hartimin dhe zbatimin e politikave, me vetëm 23 pikë, si dhe në zhvillimin dhe përhapjen e teknologjisë, me 28.55 pikë.

Ndryshe nga Shqipëria, shumë vende të Europës Lindore kanë miratuar strategji kombëtare për inteligjencën artificiale dhe plane konkrete veprimi. Shqipëria mbetet ende në një fazë ndërtimi të kornizës strategjike, ndërsa iniciativat e deritanishme kanë pasur kryesisht karakter simbolik.

Në këtë kontekst, Kryeministri Edi Rama ka promovuar projekte si krijimi i një “ministri virtual të IA-së” dhe përdorimi i asistentëve dixhitalë në Kuvend, ndërsa është paralajmëruar edhe publikimi i strategjisë së parë kombëtare për inteligjencën artificiale.

Në rajon, Serbia spikat si lidere, e renditur në vendin e 39-të në botë dhe pjesë e 20% vendeve më të përgatitura globalisht për IA-në, falë investimeve afatgjata në transformimin dixhital dhe infrastrukturë teknologjike. Estonia, Ukraina dhe Kroacia po ashtu kanë ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin e ekosistemeve të inteligjencës artificiale.

Raporti thekson se Shqipëria ka potencial, por pa një strategji të qartë dhe investime të strukturuara, rrezikon të mbetet pas në garën rajonale dhe globale për inteligjencën artificiale.

Scroll to Top