Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh programit të vlerësimit të sektorit financiar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 janar 2026

Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi

Shqipëria do t’i nënshtrohet gjatë vitit 2026 një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Ky program vlerëson qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj krizave, identifikon cenueshmëritë e fshehura dhe kontrollon efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare.

Anke Weber, shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë, thekson se FSAP do të sigurojë që sistemi financiar të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.

Ky vlerësim vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, që ka avancuar në procesin e integrimit europian. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ky proces do të shërbejë si “certifikatë ndërkombëtare” për cilësinë e kuadrit ligjor, mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut.

Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në 2013, dhe rekomandimet e tij përfshinin:

  • Reduktimin e kredive me probleme, që sot ndodhen në nivelin më të ulët në 16 vitet e fundit.
  • Zvogëlimin e rreziqeve sistemike nga zotërimet e mëdha të letrave me vlerë qeveritare dhe zhvillimin e tregut dytësor.
  • Reduktimin e përdorimit të Euros dhe rritjen e masave të likuiditetit për depozitat në valutë.
  • Forcimin e mbikëqyrjes bankare dhe jo-bankare, përfshirë institucionet financiare jo-bankare dhe AMF-në.

FSAP do të ofrojë rekomandime për përmirësime të mëtejshme dhe do të ndihmojë Shqipërinë të përforcojë qëndrueshmërinë e sektorit financiar, duke e përafruar me standardet europiane.

Scroll to Top