Shpaloset statuja në bronz për Ismail Kadarenë në 90-vjetorin e lindjes së tij

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

28 janar 2026

Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, u prezantua sot një statujë kushtuar veprës dhe jetës së tij. Ceremonia u zhvillua në Bar Juvenilja, vendin që Kadare e vizitonte shpesh për kafenë e mëngjesit gjatë kohës që jetonte në Shqipëri, duke e bërë këtë hapësirë të veçantë për doajenët e letërsisë.

Në prezantim morën pjesë Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit, si dhe personalitete të shquara të artit dhe kulturës. Gjatë ceremonisë u recituan poezi të Kadaresë, duke rikujtuar fillimet e tij si poet para se të bëhej romancier. Ai ka botuar disa vëllime me poezi, përfshirë “Kristal” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

Kadare njihet ndërkombëtarisht për veprat e tij të mëdha në gjuhën shqipe, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” dhe “Dimri i vetmisë së madhe”, të cilat e kanë vendosur si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare.

Kujtojmë se shkrimtari i shquar u nda nga kjo botë në korrik 2024, por veprat dhe kujtimi i tij vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj.

Scroll to Top