Kjo e premte do të shënjojë zyrtarisht nisjen e rrugëtimit drejt Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Kjo do të jetë hera e parë në histori që eventi do të zhvillohet me 48 skuadra, pas shtatë edicioneve të mëparshme me 32 pjesëmarrës.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Europa do të përfaqësohet me 16 ekipe, nga 13 që ishin herën e fundit në Katar. Shqipëria pret të njohë rivalët dhe mban sytë me ankth nga goglat. Pas zhgënjimit në Nations League, kuqezinjtë mbetën në vazon e tretë, aty ku emra të tjerë të rëndësishëm janë Skocia, Sllovenia apo Irlanda.
Për sa i takon kokave të serisë, rreziku për kuqezinjve është ai i përballjes me një emër të madh, mes Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Holandës apo Anglisë, Portugalisë e Belgjikës. Kroacia, Zvicra, Austria dhe Danimarka plotësojnë vazon e parë.
Në vazon e dytë, mes rivalëve të mundshëm janë Ukraina, Suedia, Turqia, Polonia e Çekia. Aty goglat mund të rezervojnë edhe betejat historike me Serbinë apo Greqinë.
Nga vazo e katërt vjen rreziku i vëllazërores me Kosovën, teksa ekipe të tjera aty janë Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia apo Armenia. Kualifikueset do të kenë 8 grupe me nga katër skuadra dhe 4 grupe me pesë ekipe, të cilat do të plotësohen nga vazo e fundit e shortit, me përfaqësueset më të dobëta kontinentale.
Shorti do të hidhet mesditën e kësaj të premteje, në Zyrih.

















