Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 nentor 2025
Rreth 870 milionë euro vlerësohet të jetë dëmi nga trafiku i objekteve kulturore dhe artefakteve të vjedhura në disa vende të Europës nga një grup kriminal prej 35 personash me drejtues bullgarë. Operacioni i gjerë i koordinuar nga Eurojust, i zhvilluar në gjashtë shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, çoi në arrestimin e të dyshuarve dhe në kontrollin e mbi 125 lokacioneve, ku u gjetën më shumë se 3 000 objekte me vlerë të përllogaritur mbi 100 milionë euro.
Sipas autoriteteve, grupi kriminal dyshohet se ka kryer vjedhje artefaktesh edhe në territorin shqiptar, ku ka marrë ndihmë nga bashkëpunëtorë vendas. SPAK po kryen hetimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbulimin e bazave ku ruheshin objektet përpara se të trafikoheshin në mënyrë të paligjshme drejt Bullgarisë.
Hetimet për këtë rrjet ndërkombëtar nisën pesë vite më parë. Në vitin 2020, në një shtëpi në Bullgari, u sekuestruan rreth 7 000 objekte kulturore me rëndësi të madhe historike. Koleksioni përfshinte maska, objekte ushtarake, bizhuteri, vazo dhe kupa nga qytetërimet trake dhe greko-romake, disa prej të cilave datonin deri në 2000 p.e.s.
Grupi kriminal kishte në posedim edhe dokumente të dyshimta për disa prej artefakteve, të lëshuara nga shtëpi ankandesh dhe galeri arti në vende të ndryshme të botës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

















