Shiti sekretet shtetërore, SPAK kërkon 3 vite burg për ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja

Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta

03 nentor 2025

Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për tregim të sekretit shtetëror në disa raste, përkrahje të autorit të krimit disa herë dhe korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021.
Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për tregim të sekretit shtetëror në disa raste, përkrahje të autorit të krimit disa herë dhe korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar GJKKO-së dënimin me 3 vite burgim për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja.

Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për tregim të sekretit shtetëror në disa raste, përkrahje të autorit të krimit disa herë dhe korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021.

Ndërkohë për Altin Hajrin, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje e autorit të krimit-gjithashtu u kërkua 3 vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite.

Ndërsa SPAK për Ahmet Mashën, i cili është nën akuzë për tregim të sekretit shteteror dhe përkrahje e autorit të krimit, kërkoi qëndrim pas hekurave për 2 vite e 6 muaj, por nëse dënohet përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe i ulet në 1 vit e 8 muaj burg.

Çyrbja do të dënohet përmes formulë së gjykimit të shkurtuar dhe në rast të pranimit të kërkesës së SPAK, Çyrbja do të vuajë 2 vite burgim.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, është provuar se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”.

Gjithashtu i pandehuri Altin Hajri dyshohet se ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.

Akuzat ndaj ish-deputetit

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).

Në periudhën objekt hetimi, ai ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale).

Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, sipas SPAK.

Nga ana tjetër, Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.

Dosja e SPAK:

SPAK përfundon hetimet më 15 korrik 2025 dhe dërgon për gjykim ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin. Tre të pandehurit akuzohen për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

1. Jurgis Çyrbja i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021, 6.3.2021, 6.3.2021, 6.3.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal.

iii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

iv. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021) parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

v. “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal (në periudhën mes datave 5.3.2021-8.3.2021).

2. Ahmet Masha, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

3. Altin Hajri, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal (në periudhën midis datave 1.12.2020 – 8.3.2021)

ii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal (në episodin e datës 1.5.2020).

Scroll to Top