Shehi: Opozita ka 10 vjet që humb vota rrugës. Gjysma e atyre që kanë qeverisur Shqipërinë duhet të ishin në burg

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

10 shtator 2025

Për ndryshimin e status quo-s në të cilën ka hyrë vendi, Dashamir Shehi pati dhe disa këshilla për opozitën.

Sipas Shehit, opozita duhet të mbajë rreth vetes njerëz të ndershëm dhe të zotë, teksa ngulmoi se është shumë e rëndësishme që të prishet marrëveshja e 2009 mes Ramës dhe Berishës që mban në këmbë këtë sistem.

“Opozita duhet të japë një shembull që të mbajë ata më të ndershmit, më të zotët, dhe jo ata mbas kryetarit se nuk vjen njeri nga mbrapa atje poshtë. Sepse edhe ky është difekt opozitar. Gjithnjë është kjo fjala bashkim, do bashkohemi rreth teje? Jo do të bashkohemi për idetë.

Ta rrëzojmë marrëveshjen e pistë 2009 Rama e Berisha. Po si vjen mirë Berishës nuk bashkohet për këtë punë se ai e ka bërë. Më shumë ai e ka bërë se ishte kryeministër.

Nga ky sistem vjen dhe forma politike. Po të ishte një ligj tjetër do të kishim një situatë tjetër. Opozita ka 10 vjet që humb vota rrugës për shkak të këtij ligji dhe nuk do ta ndryshojë. Ditën që ndryshohet ky ligj bie absolutizmi i liderit të partisë”, tha Shehi në A2 CNN.

“Beteja e opozitës duhet të jetë me Edi Ramën dhe jo me Altin Dumanin. Këta zotërinj për herë të parë kanë thërritur disa njerëz nëpër gjyqe që të tjerët nuk e kishin bërë deri më sot. Uroj që nga kjo histori të dalë diçka”, shtoi Shehi. 

Ai tha se nuk ka njohuri personale për Altin Dumanin dhe nuk e sheh si armik të opozitës. Ai theksoi se opozita ka bërë gabim duke sulmuar organet e drejtësisë, duke krijuar idenë se Prokuroria përfaqëson një kërcënim ndaj tyre.

“Kush është i ndershëm nuk ka pse të trembet nga Prokuroria,” tha Shehi.

Ai kujtoi eksperiencën e tij të gjatë me sistemin e drejtësisë. “Se po të ishte për t’u futur në burgje, këtu duhet të ishin futur gjysma e atyre që kanë qeverisur vendin,” shtoi ai.

Shehi mbështeti hetimet e SPAK-ut, duke vlerësuar që për herë të parë disa figura po përballen me ligjin. Ai e cilësoi këtë një hap pozitiv për drejtësinë, duke nënvizuar nevojën që opozita të fokusojë energjitë te qeveria aktuale dhe jo te organet e hetimit. 

Scroll to Top