SHBA prezanton “FIFA Pass” për përshpejtimin e vizave të tifozëve të Kupës së Botës 2026

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 nentor 2025

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka lançuar një iniciativë të re për të përshpejtuar procesin e aplikimit për vizë për vizitorët që do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës 2026. Programi, i quajtur “FIFA Pass”, ofron mundësi për marrje më të shpejtë të takimeve për vizë për ata që kanë blerë bileta zyrtare të eventit, duke eliminuar në disa raste nevojën për intervistë personale.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u takua me Trump në Zyrën Ovale, sqaroi se mbajtësit e biletave do të kenë akses prioritar në procesin e aplikimit për vizë. “Nëse keni një biletë për Kupën e Botës, mund të përfitoni nga vendet prioritare për viza”, deklaroi Infantino gjatë prezantimit.

Presidenti Trump i bëri thirrje tifozëve të aplikojnë për vizë sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se janë shtuar mbi 400 oficerë konsullorë në mbarë botën për të përballuar fluksin e kërkesave. Sipas Rubio, në rreth 80% të vendeve, takimet për vizë mund të sigurohen brenda 60 ditëve.

Sistemi i ri, i njohur si “Portal i FIFA-s”, u mundëson mbajtësve të biletave të përfitojnë nga procedurat e përshpejtuara për aplikim dhe intervistë. “Kontrollet e sigurisë mbeten të pandryshuara, ndryshimi është vetëm se aplikantët e lidhur me Kupën e Botës do të vendosen më lart në listën e pritjes”, tha Rubio.

Scroll to Top