SHBA pezullon vizat e emigracionit për Shqipërinë dhe Kosovën, A po mbyllet dera e emigrimit drejt SHBA për shqiptarët?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 janar 2026

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të dhënies së vizave amerikane për Shqipërinë, duke filluar nga data 21 janar. Vendimi vjen pas pezullimit të programit të Lotarisë Amerikane dhe është pjesë e një rishikimi më të gjerë të procedurave të emigracionit.

Sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit, të siguruar fillimisht nga Fox News Digital, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar që të refuzojnë aplikimet për viza bazuar në legjislacionin ekzistues, deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit të kontrollit dhe verifikimit të aplikantëve. Pezullimi do të jetë pa afat të përcaktuar.

Ky vendim lidhet edhe me zbatimin e rregullave të reja të kontrollit, të miratuara në nëntor të vitit 2025, të njohura si dispozita “public charge”, të cilat synojnë të identifikojnë aplikantët që mund të konsiderohen barrë për sistemin e përfitimeve publike në Shtetet e Bashkuara.

Sipas këtyre udhëzimeve, vizat mund t’u refuzohen aplikantëve që vlerësohen se kanë gjasa të mbështeten në ndihmë shtetërore, duke marrë parasysh faktorë si gjendja shëndetësore, mosha, njohja e gjuhës angleze, situata financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë. Në këtë kuadër, refuzimi mund të prekë edhe aplikantë të moshuar, persona me probleme shëndetësore ose ata që kanë përfituar më herët ndihmë publike.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, ka deklaruar se institucioni do të përdorë autoritetin e tij ligjor për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të përbënin barrë publike për Shtetet e Bashkuara.

Sipas Fox News, Shqipëria është një nga 75 vendet për të cilat do të pezullohet shqyrtimi i vizave amerikane për emigrantët, duke filluar nga 21 janari. Në listë përfshihen edhe vende të tjera nga Europa, Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe shumë shtete të tjera.

Scroll to Top