Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 qershor 2025
Departamenti i Shtetit në SHBA ka njoftuar masa të reja për aplikuesit e vizave studentore dhe të programeve të shkëmbimit (kategoritë F, M dhe J). Në të ardhmen, të gjithë të huajt që dëshirojnë të studiojnë ose të marrin pjesë në programe shkëmbimi në Shtetet e Bashkuara do të duhet të deklarojnë llogaritë e tyre në rrjetet sociale, të cilat do të verifikohen nga autoritetet amerikane.
Kush nuk i bën publike këto llogari apo nuk lejon kontrollin e tyre, rrezikon që aplikimi për vizë t’i refuzohet. Masat janë pjesë e një politikë të re për siguri të shtuar, e cila synon të identifikojë individë që mund të paraqesin rrezik për vendin, veçanërisht ata që shprehin qëndrime “armiqësore” ndaj SHBA-së, institucioneve të saj, apo kulturës amerikane.
Pas një pezullimi të përkohshëm të takimeve për viza në muajin maj, aplikimet do të rifillojnë, por me këtë kusht të ri. Sipas një udhëzimi të brendshëm për zyrtarët konsullorë, përqendrimi do të jetë në gjurmimin e përmbajtjeve problematike në rrjet, duke përfshirë edhe postime që mund të perceptohen si kërcënuese apo fyese ndaj parimeve themeluese të vendit.
Përveç rrjeteve sociale, autoritetet do të shqyrtojnë gjithashtu edhe praninë online të aplikuesve në përgjithësi, përfshirë të dhënat e tjera që gjenden në bazat e të dhënave digjitale.
Sipas revistës amerikane Politico, kjo politikë do të zbatohet njësoj për të gjithë, pavarësisht universitetit apo institucionit që do të frekuentojnë. Zyrtarët amerikanë deklarojnë se ky hap synon të rrisë transparencën dhe sigurinë kombëtare, duke e bërë më të vështirë që individët me qëllime të dyshimta të hyjnë në vend.