Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 qershor 2025
Departamenti i Shtetit Amerikan ka njoftuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem do të qëndrojë e mbyllur nga e mërkura deri të premten, për shkak të gjendjes së sigurisë në rajon dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve izraelite.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjetin social X, ku gjithashtu theksohet se do të pezullohen edhe shërbimet konsullore në Tel Aviv gjatë këtyre ditëve.
Ndërkohë, SHBA ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim zyrtar për evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Izraeli, por Departamenti i Shtetit konfirmon se është duke planifikuar për skenarë emergjentë, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.
Ky veprim vjen në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, pas deklaratave të rënda nga udhëheqësit iranianë.
Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka deklaruar se: “Nuk do të tregojmë asnjë mëshirë ndaj udhëheqësve izraelitë.”
Ndërkohë, ambasadori iranian në OKB në Gjenevë, Ali Bahreini, ka paralajmëruar një reagim të ashpër nëse cenohet Irani: “Një përgjigje e fuqishme dhe pa asnjë përmbajtje. Ne do ta mbrojmë sovranitetin tonë me çdo kusht.”