Shala: Haxhiu nuk ka të drejtë të rikandidohet për kryetare të Kuvendit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 gusht 2025

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nuk ka të drejtë rikandidimi pas disa dështimeve për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Kështu po vlerëson hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala sipas të cilit me publikimin e aktgjykimit të plotë për ngërçin politik, Kushtetuesja nuk ka ndërtuar norma të reja, por vetëm ka nxjerr kuptimin e normave ekzistuese.

Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktgjykimin e plote për ngërçin politik në vend.

Sipas këtij aktgjykimi, brenda 30 ditësh duhet të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe emri i kandidatit apo kandidates së propozuar për kryekuvendar nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Shala  thekson se rikandidimi i kandidates të njëjtë është dëshmi e përpjekjeve për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për vazhdimin e seancës konstituive. Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kritika për këtë aktgjykim dhe vetë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa dy partitë e tjera politike – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – besojnë se ky aktgjykim i hap rrugë zhbllokimit të situatës politike.

Scroll to Top