Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
12 nentor 2025
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se vendet evropiane po përgatiten për një konflikt të mundshëm ushtarak me Rusinë, duke paralajmëruar se përplasja është bërë “gjithnjë e më e dukshme”.
“Këto nuk janë fjalë boshe – të gjithë po përgatiten për të,” tha Vuçiç, duke komentuar deklaratën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Franceze, Fabien Mandon, i cili kishte paralajmëruar se ushtria franceze duhet të jetë gati për një përballje me Rusinë brenda tre deri në katër vjetëve.
Vuçiç shtoi se Serbia ndodhet në një pozitë të vështirë, mes interesave të kundërta të vendeve perëndimore dhe Rusisë, dhe se duhet të ruajë neutralitetin e saj politik e ushtarak.
“Serbia duhet të vazhdojë të forcojë ushtrinë e saj për qëllime vetëmbrojtjeje,” theksoi presidenti serb, duke shtuar se prioriteti i Beogradit mbetet ruajtja e stabilitetit kombëtar në mes të tensioneve globale në rritje.

















