Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 gusht 2025
Nga dëshmitar kryesor në të pandehur. Kjo është rruga e Krunosllav Fehirit, dëshmia e të cilit ishte vendimtare në gjyqin e Branimir Gllavashit në Kroaci, për krime lufte kundër civilëve serbë në vitin 1991.
Në fillim të gushtit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktakuzë kundër Fehirit – një veprim që njohësit e këtij rasti e konsiderojnë si të pazakontë, po aq sa edhe heshtjen e zyrtarëve të Zagrebit për të.
Si i mitur, Krunosllav Fehir ishte pjesëtar i Batalionit të Osijekut të Branimirit – një formacion që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Gllavashit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe, në atë kohë, njeriut de facto më të fuqishëm në zonën e Osijekut, në Kroacinë lindore.
Gllavash u dënua me shtatë vjet burg me një vendim të shkallës së parë, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të jepet nga Gjykata e Lartë e Kroacisë.
Në mes të qershorit të këtij viti, policia serbe e arrestoi Fehirin me të hyrë në Serbi dhe që atëherë ai mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit.
Sipas avokatit të tij, Bojan Stanojlloviq, Prokuroria e akuzon Fehirin për anëtarësim në një grup që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Bëhet fjalë për nenin 145, paragrafin 2 të Kodit Penal nga koha e RSFJ-së, i cili parashikon dënim me burg prej së paku një viti.
“Sigurisht, ai u habit kur e arrestuan, sepse nuk e kishte idenë se mund të arrestohej për këtë… sepse që nga viti 1991 e deri më sot, autoritetet në Serbi nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim, as nuk ka pasur ndonjë tregues se po ndodhte diçka”, thotë Stanojlloviq për Radion Evropa e Lirë.

















