Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 shkurt 2026
Ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar financime konkrete nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të inteligjencës artificiale, Shqipëria mbetet jashtë listës së përfituesve në këtë fazë të programeve europiane, pavarësisht retorikës së fortë për digjitalizimin dhe IA.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në projektet “AI Factory Antennas”, që u japin vendeve akses në infrastrukturën europiane të superkompjuterëve dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale. Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga BE për projektin SAIFA, ndërsa Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, me një buxhet total rreth 6 milionë euro, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian.
Këto qendra do të shërbejnë si nyje kombëtare për universitete, institucione publike, start-up-e dhe industri, duke u dhënë akses në fuqi llogaritëse, databaza dhe ekspertizë teknike europiane – burime që zakonisht janë të paarritshme për ekonomitë e vogla.
Në kontrast, Shqipëria, e cila së fundmi ka promovuar veten si një nga vendet e pakta në botë me një ministre të inteligjencës artificiale, nuk ka arritur të sigurojë financime për një qendër të tillë. Kjo ndodh edhe pse vendi është bërë pjesë e rrjetit europian të superkompjuterëve EuroHPC që në qershor 2025.
Rasti i Shqipërisë nxjerr në pah një hendek mes diskursit politik dhe përfitimeve konkrete nga programet strategjike të Bashkimit Europian. Ndërsa fqinjët po pozicionohen si pjesë aktive e ekosistemit europian të IA, Shqipëria rrezikon të mbetet vetëm përdoruese pasive e infrastrukturës, pa kapacitete kombëtare për kërkim, inovacion dhe zhvillim teknologjik.
Në nivel rajonal, projektet e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut tregojnë se përfshirja në programet e IA nuk varet vetëm nga anëtarësimi formal në rrjete europiane, por nga kapaciteti për të ndërtuar projekte të strukturuara, për të bashkëfinancuar dhe për të ofruar një vizion të qartë zhvillimi. Një mësim që Tirana duket se ende nuk e ka përkthyer në rezultate konkrete.

















