Sekuestrohen sërish rreth 110 mijë euro të ardhura nga krimi në Portin e Durrësit! Arrestohet 40-vjeçari, i kishte fshehur te furgoni mallrave

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 mars 2025

Plot 108 960 euro dhe 600 franga, janë sekuestruar në Portin e Durrësit, të cilat dyshohen se janë të ardhura nga aktivitet kriminal.

Arrestohet në hyrje të Shqipërisë, J.Z, iu gjetën paratë në furgonin që drejtonte.

3 ditë më parë, Policia e portit të Durrësit sekuestroi 223 200 euro të dyshuara produkt i krimeve dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, si rezultat i  intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan fazën e  dytë të operacionit policor të koduar “Aseti”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Jahje Zebi, 40 vjeç, banues në Dibër.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në furgonin që drejtonte ky shtetas, u gjetën 108 960 euro dhe 600 franga, që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar në pkk.

Së bashku me paratë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, furgoni që drejtonte i arrestuari, si dhe 2 celularë dhe pasaporta e tij.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me partnerët, vijon puna për të dokumentuar burimin e parave të sekuestruara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top