Sekuestrohen 5 tonë marihuanë në Serbi, vlera deri në 10 milionë euro

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 janar 2026

Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar, ka sekuestruar rreth pesë tonë marihuanë gjatë një operacioni të zhvilluar më 29 janar në fshatin Konjuh, pranë qytetit të Krushevcit, në Serbinë qendrore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, e cilësoi këtë si sekuestrimin më të madh të drogës të regjistruar ndonjëherë në vend. Sipas autoriteteve, vlera e lëndës narkotike të kapur varion nga 7 deri në 10 milionë euro.

Gjatë aksionit janë arrestuar dy persona, N.S. (1986) dhe R.S. (1958), ndërsa një i dyshuar i tretë është shpallur në kërkim. Ata dyshohen për prodhim dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për posedim dhe tregtim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve shpërthyese.

Përveç drogës, policia ka sekuestruar edhe armë zjarri, përfshirë të paktën katër pushkë automatike, një raketëhedhës dore, si dhe rreth 12.700 euro para cash.

Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka bërë të ditur se të arrestuarit dyshohen se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili e kishte magazinuar marihuanën në ambientet e kompanisë Florakom d.o.o., prej nga më pas shpërndahej për tregun e Beogradit.

Autoritetet serbe njoftuan se kontrollet po vazhdojnë, ndërsa të ndaluarit, pas përfundimit të procedurave policore, do të dërgohen në prokurori për t’u marrë në pyetje.

Scroll to Top