Sa është real kërkimi i Indisë për magnete të bëra nga metale të rralla?

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

16 janar 2026

Nëntori i vitit 2025 shënoi një hap të madh për Indinë, e cila miratoi një plan prej 73 miliardë rupish (rreth 800 milionë dollarë) për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm të prodhimit të magneteve të metaleve të rralla dhe për të ulur varësinë nga Kina, e cila aktualisht kontrollon më shumë se 90% të përpunimit global të këtyre materialeve.

Magnetet e metaleve të rralla janë pjesë thelbësore e teknologjisë moderne, duke u përdorur në automjetet elektrike, turbinat me erë, telefonat inteligjentë, pajisjet mjekësore dhe ato mbrojtëse. Për të përmbushur kërkesën në rritje vendase, India synon që prodhuesit e përzgjedhur të prodhojnë 6,000 ton magnete të përhershëm në vit brenda shtatë viteve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se investimi financiar vetëm nuk mjafton. India ende përballet me mungesë ekspertize industriale dhe sfida teknologjike, duke qenë se vende si Japonia, Koreja e Jugut dhe Gjermania kanë dekada përvojë në prodhimin e magneteve. “Ky është një fillim i mirë, por India do të ketë nevojë për partneritete strategjike për të importuar teknologji, trajnuar fuqinë punëtore dhe ndërtuar kapacitetet e veta,” thotë Neha Mukherjee nga Benchmark Mineral Intelligence.

Çështjet e lëndëve të para janë po ashtu sfiduese. India ka rezervat e treta më të mëdha në botë të mineraleve të rralla, por ato përbëjnë më pak se 1% të prodhimit global, dhe deri tani vetëm një minierë në Andhra Pradesh është funksionale.

Plani indian vjen pas një përvoje të vështirë në vitin 2024, kur Kina kufizoi eksportet gjatë një mosmarrëveshjeje tregtare, duke ndikuar në industrinë e automjeteve dhe elektronikës në vend. Tani, India synon të krijojë një industrinë e saj të qëndrueshme të magneteve të metaleve të rralla, që mund të sigurojë furnizime vendase dhe të rrisë pavarësinë strategjike.

Megjithatë, sfidat nuk mungojnë. India po përpiqet të zgjerojë operacionet e minierave dhe përpunimit përmes Misionit Kombëtar të Mineraleve Kritike (NCMM), i cili synon të ruajë rezervat dhe të sigurojë një zinxhir furnizimi të qëndrueshëm. Por edhe me këto përpjekje, vendi ka vetëm disa nga elementët e nevojshëm për të prodhuar magnete me performancë të lartë.

Ndërsa ka teprica të elementëve më të lehtë, si neodimi, mungojnë sasi të nxjerrshme të elementëve më të rëndë si disprosiumi dhe terbiumi, të cilët janë thelbësorë për magnetet me përdorim të avancuar. Kjo ngre pyetjen: edhe nëse magnetët prodhohen në Indi, a do të mbeten ende të varur nga importet nga Kina?

Shkalla e prodhimit gjithashtu mbetet shqetësuese. India konsumon rreth 7,000 ton magnet në vit, ndërsa plani parashikon prodhimin e 6,000 tonëve deri në fillim të viteve 2030. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund ta lërë vendin ende të ekspozuar ndaj mungesave, ndërkohë që kërkesa për magnete të metaleve të rralla rritet me shpejtësi. “Nëse nuk rrisim kapacitetin, problemi nuk do të zgjidhet. Varësia nga Kina do të vazhdojë, dhe Kina do ta forcojë pozicionin e saj,” shpjegon Neha Mukherjee nga Benchmark Mineral Intelligence.

Një tjetër sfidë është çmimi i magneteve të prodhuara në vend. Magnetët kinezë janë më të lirë, dhe pa çmime konkurruese, importet mund të vazhdojnë të dominojnë tregun indian. Ekspertët sugjerojnë se stimujt nuk duhet të jenë vetëm për prodhuesit, por edhe për blerësit, për të siguruar adoptimin e produkteve vendase.

Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, vendimi i Indisë për të implementuar skemën reflekton ambicien e saj për të forcuar ekosistemin e metaleve të rralla dhe krijon një bazë për të ardhmen. “Është padyshim më mirë të ndërmarrësh një hap të tillë sesa të mos veprosh fare,” thotë Rajnish Gupta, specialist i politikave ekonomike.

Lexo më shumë rreth temës: https://www.ndtv.com/india-news/indian-firms-get-licenses-to-import-rare-earth-magnets-from-china-9545540

Scroll to Top