Rutte mesazh Putinit: Ndaloje luftën – jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 shtator 2025

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë reagimin e tij për incidentin gjatë natës në Poloni ku tha se “po bëhet vlerësimi i plotë,” por theksoi se “qoftë qëllimisht apo jo, është absolutisht një veprim i pamatur, absolutisht i rrezikshëm”.

Ai i dërgoi një mesazh të qartë Presidentit Putin: të ndalojë luftën në Ukrainë, të ndalojë eskalimin e luftës, e cila aktualisht po ushtrohet mbi civilë të pafajshëm dhe infrastrukturë civile, dhe të ndalojë shkeljen e hapësirës ajrore të aleatëve.

Ai theksoi se NATO është e gatshme, e vëmendshme dhe do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.

Rutte tha se përgjigjja e natës së kaluar ishte “shumë e suksesshme.”

“Ne gjithmonë duhet të sigurohemi që të jemi një hap përpara, por mendoj se nata e kaluar tregoi se jemi në gjendje të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, duke përfshirë, natyrisht, edhe hapësirën e saj ajrore”, tha ai.

Lidhur me dronët rus, Kremlini s’ka pranuar të komentojë incidentin.

Kur u pyetën për dronët dhe deklaratat e Tusk, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Në këtë rast, nuk do të dëshironim të komentonim në asnjë mënyrë. Kjo nuk është përgjegjësia jonë – është privilegji i ministrisë së mbrojtjes.”

Peskov tha se Kremlini nuk kishte marrë asnjë kërkesë kontakti nga Polonia, por hodhi poshtë akuzat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s se Rusia kishte kryer një provokim.

“Udhëheqësia e BE-së dhe e NATO-s akuzon Rusinë për provokime çdo ditë. Shumicën e kohës, pa u përpjekur as të prezantojë të paktën ndonjë argument,” tha Peskov.

Ministria e mbrojtjes deri tani nuk ka komentuar incidentin me dronët në Poloni.

Scroll to Top