Rusia vazhdon sulmet mbi Ukrainën, Zelensky paralajmëron për mbështetje ushtarake dhe energjetike në Europë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

17 nentor 2025

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj mbi qytetet ukrainase, duke shkaktuar të paktën tre viktima në rajonin e Harkivit gjatë natës, sipas autoriteteve lokale.

Shërbimet e Emergjencës së Ukrainës raportuan se një sulm në qytetin lindor të Balaklias, një nyje kyçe hekurudhore, ka lënë të plagosur të paktën 13 persona, përfshirë katër fëmijë. Nëntë prej tyre u shtruan në spital, ndërsa ekipet e emergjencës punonin në vendngjarje.

Vitaliy Karabanov, kreu i administratës ushtarake të Balaklias, tha se sulmi goditi qendrën e qytetit dhe plagosi të paktën tre fëmijë. Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Balaklia ishte nën kontroll rus, por u rimor nga forcat ukrainase disa muaj më vonë.

Sulmet ndaj objekteve energjetike ukrainase janë shtuar me afrimin e dimrit, duke rritur shqetësimet për mungesa të mundshme të energjisë elektrike, ndërsa zonat civile vazhdojnë të goditen, megjithëse Moska mohon se synon objektiva civile.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur një vizitë në kryeqytetet evropiane për të siguruar mbështetje ushtarake dhe energjetike. Ai pritet të arrijë sot në Paris për t’u takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, në një takim që do të zhvillohet në bazën ajrore Villacoublay jashtë kryeqytetit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se një “marrëveshje e madhe me Francën” është në përgatitje, megjithëse nuk dihet ende nëse vizita e tij do të shoqërohet me ndonjë njoftim të bujshëm.

Ai ka kërkuar nga partnerët perëndimorë furnizim me raketa me rreze të gjatë për të goditur raketahedhësit brenda territorit rus. Franca ka premtuar më parë dërgimin e raketave Aster me rreze të mesme për mbrojtjen e Ukrainës. Pas Parisit, Zelensky do të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Spanjës më 18 nëntor.

Në përpjekje për të “shuar zjarrin” e krizës energjetike të shkaktuar nga sulmet ruse, Zelensky vizitoi Athinën të dielën, ku nënshkroi një marrëveshje për importin e gazit natyror të lëngshëm, të furnizuar nga Shtetet e Bashkuara, nga muaji i ardhshëm deri në mars 2026.

Gjatë kësaj vizite, Zelensky u zotua për një “reshaping” të sektorit energjetik, i cili ka qenë i mbushur me skandale dhe akuza për korrupsion. Më 10 nëntor, agjencia kundër korrupsionit e Ukrainës njoftoi për një “operacion të gjerë”, duke ngritur dyshime për dhjetëra miliona dollarë korrupsion.

Zelensky deklaroi se drejtuesit e të paktën tri kompanive shtetërore të energjisë do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen shpejt, ndërsa ndryshime të tjera reformuese janë në pritje. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë nëse këto masa do të jenë të mjaftueshme për të “ndezur dritën e besimit” tek qytetarët dhe aleatët perëndimorë, të cilët presin hapa konkretë për të luftuar korrupsionin ndërsa vendi përballet me agresionin rus..

Scroll to Top