Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 nentor 2025
Marina amerikane ka njoftuar se anija luftarake USS Gerald R Ford, e konsideruar si aeroplanmbajtësja më e re dhe më e madhe në botë, ka hyrë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Jugore të SHBA-së, e cila mbulon Amerikën Latine dhe Karaibet.
Vendosja e anijes dhe grupit të sulmit që ajo drejton – i cili përfshin dhjetëra avionë dhe anije shkatërruese – ishte njoftuar gati tre javë më parë.
Ndërkohë, regjimi i presidentit venezuelian, Nicolás Maduro, njoftoi atë që e quajti një “vendosje masive” të forcave tokësore, detare, ajrore, lumore dhe raketore, si dhe milicisë civile, për t’iu kundërvënë pranisë detare amerikane në bregdetin e saj.
Vendosja e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, së bashku me anije të tjera luftarake dhe një nëndetëse me energji bërthamore, shënon një nga demonstrimet më të mëdha të fuqisë detare amerikane në Karaibe në dekadat e fundit. Prania e përforcuar ushtarake është parë nga shumë analistë si një kthesë strategjike e Uashingtonit në rajon, ndërsa Shtëpia e Bardhë e përshkruan këtë si një operacion të zgjeruar kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas Pentagonit, misioni ka për qëllim të intensifikojë patrullimet dhe ndalimin e rrjeteve të trafikut që operojnë përmes rrugëve detare të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Zëdhënësi Sean Parnell theksoi se “prania e flotës amerikane do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë për të identifikuar dhe neutralizuar kërcënimet që lidhen me krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Nga ana tjetër, qeveria e Venezuelës e ka dënuar vendosjen si një akt provokues dhe si një “arsyetim të fabrikuar për ndërhyrje”. Presidenti Nicolás Maduro e cilësoi operacionin amerikan si “një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Amerikën Latine”, duke urdhëruar forcat e armatosura venezueliane të jenë në gatishmëri të plotë.
Në të njëjtën kohë, mediat shtetërore në Caracas raportuan për ushtrime ushtarake të gjerë në disa rajone kufitare, të cilat, sipas autoriteteve, kanë për qëllim “mbrojtjen e sovranitetit kombëtar ndaj kërcënimeve të jashtme”.

















