Rrëzohen të gjitha amendamentet e opozitës, projektbuxheti 2026 miratohet në Komisionin e Ekonomisë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 dhjetor 2025

Projektligji për buxhetin e shtetit për vitin 2026 ka marrë miratimin e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, pas disa ditësh diskutimesh në komisione dhe një seance maratonë. Buxheti u votua me 7 vota pro.

Projektbuxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm arrin në 8.9 miliardë euro, me fokus kryesor te Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës, investimet publike, pagat dhe pensionet. Ndryshime në vlerën totale nuk do të ketë, përveç rialokimeve të brendshme, të cilat u japin fonde dhe staf shtesë 12 institucioneve publike.

Gjatë shqyrtimit, deputetët e opozitës – si dhe socialisti Erion Braçe – paraqitën rreth 60 amendamente, nga të cilat 42 u propozuan vetëm nga Partia Demokratike. Këto amendamente kërkonin, ndër të tjera, përcaktimin e minimumit jetik, fonde shtesë për përmbytjet e nëntorit dhe rritje buxheti për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe bujqësisë. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk u pranua.

Propozimet kryesore të opozitës:

  • Ina Zhupa: +2.5 mld lekë për pagën e 13-të të mësuesve të arsimit parauniversitar; +384 mln lekë për më shumë oficerë policie në shkolla.
  • Tritan Shehu: +1 mld lekë për kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga përmbytjet në qarkun Gjirokastër; +1 mld lekë për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar.
  • Ledina Alolli: Rritja e buxhetit të arsimit nga 64.8 mld lekë në 92 mld lekë.
  • Igli Cara: +5 mld lekë për mbështetjen e sipërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese të goditura nga kursi i euros; garantimin e raportit 1:1 midis euros dhe lekut.
  • Tedi Blushi: +16.2 mld lekë për rritjen e pensioneve që nga viti 2026.

Edhe dy amendamentet e deputetit të PS-së, Erion Braçe, u rrëzuan:

  • Të ardhurat shtesë nga sigurimet shoqërore të përdoren për politika pensioni.
  • Fondet e papërdorura gjatë zbatimit të buxhetit, në rast të devijimit të deficitit, t’i kalojnë fondit të pensioneve.

E vetmja kategori kërkesash që mori miratimin e komisionit ishte ajo e rialokimeve mes institucioneve, me një total prej 504.9 milionë lekësh shpenzime shtesë.

Projektbuxheti 2026, së bashku me tetë projektligjet e paketës fiskale, pritet të marrë miratimin përfundimtar në seancën plenare të 11 dhjetorit.

Scroll to Top