Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 dhjetor 2025
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka deklaruar për A2 CNN se pas reagimit të fortë në Kongresin Amerikan priten masa konkrete për ndalimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke filluar me rikthimin e adresave të pasivizuara.
Rexhepi ka theksuar se situata aktuale është shumë shqetësuese, veçanërisht për shkak të diskriminimit në institucionet e sigurisë. Ai paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, brenda dhjetë vitesh asnjë shqiptar nuk do të mbetet në radhët e policisë së Serbisë në këtë zonë.
“Kjo është alarmante. Konflikti i vitit 2001 lindte pikërisht nga shtypja institucionale dhe sjelljet e policisë. Nëse policia bëhet plotësisht etnike serbe, diskriminimi dhe shtypja do të jenë të pashmangshme, dhe shqiptarët do të detyrohen të mbrojnë veten. Kjo mund të na rikthejë në situatat e vitit 2001, dhe kjo nuk duhet të lejohet”, tha Rexhepi, duke shtuar se këtë shqetësim e ka paraqitur personalisht edhe partnerëve ndërkombëtarë në Berlin dhe Washington.
Ai u shpreh optimist se presioni i Kongresit Amerikan mund të detyrojë politikën serbe të veprojë për korrigjimin e shkeljeve. Sipas Rexhepit, hapi i parë duhet të jetë rikthimi i të gjitha adresave të pasivizuara dhe integrimi real i shqiptarëve në institucionet lokale.

















